Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë. E për këtë raport i cili nuk është bërë publik vendet anëtare do të diskutojnë të mërkurën.
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili qëndroi në Prishtinë, pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, nuk dha detaje për raportin.
“Aq sa di çështja e masave do të diskutohet nesër në sektorin politik të vendeve anëtare dhe gjithçka do të varet prej këtyre diskutimeve. Nesër do ta kuptoni se çfarë ka në raport, mua nuk më lejohet të them asgjë.”
Në takim me Bislimin tha se kanë diskutuar për normalizimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jam këtu për të diskutuar për normalizimin e situatës Kosovë-Serbi. Kemi një marrëveshje, duhet ta përshpejtojmë zbatimin e saj, kjo është çështja e parë që e kemi diskutuar me Bislimin.”
Lajcak viziton edhe Serbinë në përpjekje për t’i bindur palët për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.
Klan News