Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Votimi i djeshëm për dekretin e presidentit Moisiu për emërimin e zotit Marko Bello Ministër i Jashtëm, ka rihapur debatin për raportet e forcave në Partinë Socialiste. Kanë qenë katër deputetë socialistë, të cilët kanë votuar kundër këtij dekreti, ndërsa 10 të tjerë kanë abstenuar.

Kundër kanë votuar Ilir Meta, Ndre Legisi, Mustafa Muçi, Gjergj Koja. Lista e abstenimeve ka qenë pak më e gjatë. Bëhet fjalë për votat e bardha të Eduard Alushit, Anastas Angjelit, Limoz Dizdarit, Spartak Brahos, Sabit Brokaj, Bashkim Finos, Monika Kryemadhit, Ardit Kajës, Flamur Rogut e Fatmir Xhindit.

Këta janë emrat që kthyen dje krahun e peshores. Të bashkuara me votën kundër të opozitës dhe 6 votat e bardha të PSD dhe PBDNJ, këto vota kanë vënë në pozitën më të vështirë kryeministrin Nano dhe kabinetin e tij, qysh kur erdhi në pushtet 12 muaj më parë.

Ilir Zela, i cili ishte deklaruar kundër në mbledhjen e grupit, së bashku me Namik Doklen, i cili do të abstenonte në momentin e fundit, kanë ndërruar mendje duke votuar pro. Kjo rrjedhje, e cila erdhi falë presionit të lartë politik, të kryetarit të PS nuk ndikoi në rezultatin final të rrëzimit të dekretit, duke futur projektin Nano 6 në krizë./tvklan.al

Gazetar – Enkel Demi