Pas masës së sigurisë arrest në burg që iu komunikua 14-vjeçarit që vrau bashkëmoshatarin e tij pranë shkollës “Fan Noli”, një komision i posaçëm do të vlerësoje gjendjen e tij shëndetësore. Komisioni pjesë e të cilit janë në përbërje mjekë, përfaqësues të policisë së shtetit dhe drejtorisë së burgjeve, do të paraqiten të hënën në spitalin privat ku ndodhet i shtruar i mituri për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të tij. Në përfundim pritet të përcaktohet nëse 14-vjeçari do të transferohet në spitalin e burgut, apo qelitë që janë për të mitur në burgun e Kavajës. I mituri akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese, vepër penale për të cilën kur kryhet nga një i mitur dënohet deri në 12 vite heqje lirie.
Të premten policia gjeti edhe këtë thikë, të cilën 14-vjeçari dyshohet se përdori për të goditur për vdekje bashkëmoshatarin e tij. Grupi hetimor është duke verifikuar dhe pretendimet e 14-vjeçarit tjetër të plagosur, i cili është shprehur para oficerëve të policisë, se është goditur me thikë nga një tjetër person jo i riu që tashmë është arrestuar.
Për këtë pati edhe një reagim edhe nga Policia e Shtetit. Kjo e fundit deklaron se disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia, në të cilat nuk implikohet ndonjë autor i dytë. Sipas policisë po kryhen veprime intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe individualizimin e përgjegjësive penale të personave konkretë.
Klan News
Ngjarja e rëndë u shënua më 18 Nëntor pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet. Një sherr për motive banale solli tragjedi. Rasti solli një sërë reagimesh e madje dhe protesta në formë sensibilizimi në mënyrë që autoritetet të marrin masa më të rrepta për të garantuar sigurinë e të miturve në shkolla.