Vendimi i Gjykatës së Apelit që i kaloi vulën e Partisë Demokratike grupimit të Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha, analisti Preç Zogaj e konsideron deri diku të pritshëm.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv  Klan, Zogaj u shpreh se grupimi i Lulzim Bashës nuk ka qenë aktiv dhe nuk e merituar logon e PD-së.

Me vendimin e Apelit, sipas Preç Zogajt, Sali Berisha tashmë do të ketë përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve të PD-së në vitin 2025.

“Ata ishin më aktivë, kishin më shumë njerëz. Kam konstatuar që Basha dhe njerëzit që ka përqark nuk është se e kanë shërbyer për ta merituar logon, nuk kanë qenë aktiv, kanë ndjekur strategjinë e asimetrisë. Asimetria që zgjodhi Basha ka mundësuar që protagonizmin ta ketë gjithmonë Berisha. Betejat duhen fituar aty ku zhvillohet, në terren, nuk vjen asgjë si peshqesh. Një lloj pritshmërie kam pasur që logoja mund t’i kalonte. Merr fund një odise e gjatë. Ky është një vendim që praktikisht publiku priste një gjykim me themel. Nuk ka arsye të këndosh ndonjë fitore të madhe se thjesht kanë penguar një palë që është pjesë e Partisë Demokratike. Ky vendim ja kalon Sali Berishës, e ligjëron një gjë që de facto kështu është, por i kalon përgjegjësinë e rezultatit të zgjedhjeve 2025. Deri tani mungesa e logos ka shërbyer si justifikim për 2-3 humbje që ka pësuar vetë Sali Berisha. Tani i kalon përgjegjësia”, u shpreh Preç Zogaj.

/tvklan.al