YouTube ka marrë një vendim dhe do të ndalojë rekomandimin e videove për adoleshentët ku idealizohen nivele të caktuara fitnesi, peshe trupore apo cilësive fizike.

Vendimi erdhi pasi ekspertët paralajmëruan se përmbajtje të tilla mund të dëmtojnë përdoruesit nëse shikohen në vazhdimësi.

Për këtë arsye, platforma do të lejojë që të shikohen videot nga moshat 13 deri në 17 vjeç, por algoritmi që do të përdoret nuk do t’i shtyjë përdoruesit e rinj që të shfaqen përmbajtje të lidhura me këtë temë.

YouTube ka njoftuar se përmbajtje të tilla nuk shkelin udhëzimet e saj, por shikimi në vazhdimësi i tyre mund të ndikojë në mirëqenien e disa përdoruesve.

“Teksa një adoleshent po zhvillon mendime rreth asaj se kush është dhe standardeve për veten, konsumimi i përsëritur i përmbajtjeve me standarde të idealizuara që fillon të formojë një standard të brendshëm jo të vërtetë, mund ta bëjë të formojë disa mendime negative për veten”, tha shefi i YouTube për shëndetin, Garth Graham.

Sipas YouTube, një video mund të jetë e padëmshme nëse shikohet një herë, por nëse vijojnë të shihen në mënyrë të përsëritur mund të kthehen në problematike.

Udhëzimet e reja që janë prezantuar në të gjithë botën synojnë përmbajtjet që: idealizojnë disa tipare fizike mbi të tjera, si rutinat e bukurisë për ta bërë hundën të duket më e hollë; idealizojnë palestrën ose peshën trupore të tilla si rutinat e ushtrimeve që inkurajojnë ndjekjen e një pamjeje të caktuar, ose inkurajon agresionin social, siç është kërcënimi fizik.

YouTube nuk do të bëjë më rekomandime të përsëritur për ato tema për adoleshentët që kanë regjistruar moshën e tyre në platformë si përdorues./tvklan.al