Vinin nga India pa pullë fiskale, shmangen 1.64 milionë $ taksa
Strukturat doganore kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme me cigare kontrabandë në 2 kontenierë në Portin e Durrësit, prej 1 milion e 50 mijë paketash të cilat vinin nga India. Ky është rasti i dytë që brenda një muaji që zbulohen sasi të mëdha me duhan kontrabandë.
Nëse kjo sasi do të hidhej në treg pa u zbuluar nga doganat, dëmi që do i shkaktohej buxhetit të shtetit nga taksat që nuk do të paguheshin arrin në 1.64 milionë dollarë.
“Vlerësoj se kjo është dhe në sajë të një bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacioni në kohë reale me partnerët ndërkombëtarë. E gjithë ngarkesa me cigare ishte e papajisur me pullë fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.”
Rasti është referuar në Prokurorinë e Durrësit për veprën penale kontrabandë për mallra që paguajnë akcizë. Sasia e duhanit që është importuar këtë vit ka rënë.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për periudhën janar-shtator rezultojnë të jenë importuar 260 tonë cigare më pak se një vit më parë, duke shënuar vlerën më të ulët të importit që prej vitit 2015.
Tv Klan