Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi e ka quajtur qarkun e Fierit si atë më të vështirin për zgjedhjet e 2025-ës.

Në një bisedë në studion e Klan News, Klosi u shpreh se qarku i Fierit është një qark i vështirë, duke shtuar se Partia Socialiste synon që të rrisë rezultatin e saj me një mandat. Ndër të tjera gjatë fjalës së tij Klosi renditi edhe disa nga faktorët pse sipas tij, PS do të fitojë zgjedhjet e vitit 2025.

Blendi Klosi: Qarqe të vështira janë qarqe ku duhet të thellosh rezultatin. Qarku i Fierit është një qark i vështirë, pasi aty ne synojmë që të rritemi të paktën me një mandat, pasi mund të jetë edhe Fieri një nga qarqet që mund t’i bije. Pra ne shkojmë në 15 mandate aty dhe për të shkuar 10 me 5 do të jetë një garë e vështirë në Fier, nga më të vështirat në Shqipëri. Betejat janë me karaktere të ndryshme, pasi në disa qarqe duhet të thellosh fitoren në disa duhet të ruash fitoren, por ne synojmë që në gjitha qarqet të jemi më pozitivë. Ka shumë faktorë që në garën e 2025 edhe kjo protesta e sotme është një faktor, edhe ajo që thonë të ike Edi Rama është një faktor, por më shumë se çdo gjë tjetër është mungesa e lidershipit në krahun tjetër dhe forcimi i lidershpit në krahun tonë, mungesa e frymës në krahun tjetër dhe forcimi i frymës në krahun tonë dhe mungesa e organizimit në krahun tjetër dhe forcimi i organizimit në krahun tonë.

Klosi gjithashtu bëri të ditur se qarku i Tiranës dhe Durrësit pritet të shtohet me një mandat si pasojë e rritjes së numrit të banorëve.

Blendi Klosi: Tirana pritet të shtohet me një mandat dhe besoj bije qarku i Korçës dhe gjithashtu një mandat tjetër mund të bije nga një qark tjetër që diskutohet në disa qarqe dhe më shumë mundësi ka qarku i Durrësit, si qark që ka rritur shumë numrin e banorëve të tij. Pra Tirana e ka të vështirë të marrë dy mandate plus besoj do të marrë vetëm një. Prap e them që Tirana ka shumë volum, ka jo vetëm mandate, por ka edhe shumë njerëz për tu takuar, për tu menaxhuar e për të punuar. Tirana ka shumë nevojë pasi një minibashki e Tiranës është sa një qark.

/tvklan.al