Cilësia e ujit ashtu si lufta ndaj korrupsionit apo reforma në drejtësi është kusht për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Këtë fakt na i kujton ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan i cili ka qenë i pranishëm së bashku me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu në konferencën e 9 kombëtare të ujësjellësit dhe kanalizimeve të organizuar në javën botërore të ujit.
Duke shkëputur pjesë të raportit vjetor të KE-së për sektorin e ujësjellës kanalizimeve, ambasadori Lohan ka sugjeruar më shumë investime në këtë sektor dhe strategji afatmesme dhe afatgjata për të rritur cilësinë e ujit të pijshëm.
Helmut Lohan: “Investimet në sektorin e ujësjellës kanalizimeve kanë kosto të lartë, por janë të domosdoshme. Ka patur progres fal investimeve të qeverisë në këtë sektor, por më shumë duhet të bëhet në këtë drejtim. Nuk duhet të lejohet të shpërdorohet ujë i pijshëm dhe për këtë sjell rastin e lavazheve që përdorin pikërisht ujin e pijshëm për të punuar.”
Duke pranuar këndvështrimin e ambasadorit Lohan për rëndësinë që ka sektori i ujësjellës kanalizimeve për Integrimin Evropian, ministrja Bregu deklaroj se është bërë një punë e mirë e ministrive të linjës për implementimin e strategjisë së BE-së për ujin.
Majlinda Bregu: “E rëndësishme është të vlerësojmë atë që kemi dhe po kaq rëndësi ka që të përpiqemi ta kthejmë atë në më të mirën tonë. Uji ashtu sikurse zjarri, toka edhe ajri e ka historikisht këtë fuqi, mjafton që të dimë ta përdorim mirë. Si pjesë e këtij kabineti qeveritar, ju siguroj se qeveria shqiptare i ka dhënë dhe do të vazhdojë ti japë rëndësinë e duhur dhe e ka kthyer në prioritet ujin.”
Një ditë më parë kryeministri Berisha gjatë pjesëmarrjes në këtë konferencë siguroi se katër vitet që do të vijnë do të jenë vitet më ambicioze në historinë e këtij vendi për garantimin e qytetarëve me furnizim 24 orë me ujë./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka