Kryetari i bashkisë dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka bërë një vizitë në çerdhen “Engjëjt” në kryeqytet me rastin e 1 qershorit. Duke i uruar fëmijët Rama u lëshoi dhe një mesazh prindërve ku tha, se 27 ditë na ndajnë nga ndryshimi i madh.

Edi Rama: “Duke iu uruar të gjithë fëmijëve të kryeqytetit 1 qershorin, unë ju them gjithë prindërve të tyre se edhe 27 ditë dhe ne do të mund të bëjmë së bashku shumë më tepër seç kemi bërë në këto 8 vjet të marra së bashku. Ne do të mund të ndërtojmë çerdhe për çdo lagje, kopsht për çdo lagje, shkollë për çdo fëmijë të kryeqytetit që meriton të shkollohet si fëmijët e Europës së bashkuar ku duam dhe do të integrohemi së bashku. Pas 28 qershorit fillon një epokë e re për Shqipërinë, por edhe për Tiranën. Ne do të vazhdojmë të jemi kampionët e një zhvillimi që do ta rrezatojmë në gjithë Shqipërinë.”

Sipas Ramës politika e koalicionit të majtë do të jetë ajo që do ta fusë Shqipërinë në familjen e madhe europiane./tvklan.al

Festimet për ditën ndërkombëtare të vogëlushëve nuk janë ndalur me kaq, ka qenë bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Edi Rama që kanë menduar për të argëtuar këta fëmijë të cilët janë mbledhur pasdite në Parkun Rinia. Madje ka qenë vetë kryebashkiaku Rama për disa çaste nuk nguroi të ndante pasionin e tij të pikturës me këta fëmije.

Pjese e aktivitetit te bashkisë “Ejani të luajmë së bashku” ishin jo vetëm lojërat e shumta si dhe prania e disa klounëve, por dhe recitimet e vetë vogëlushëve, që mesa duket bënë për vete dhe kryebashkiakun Rama.

Edi Rama: “Unë jam shumë i kënaqur që më jepet mundësia që për një moment të shkurtër të shkëputem nga punët e të mëdhenjve dhe të jem bashkë me më të vegjlit.”

1 qershori, dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, tashmë është kthyer në një ritual festiv i përvitshëm, ku ata që gëzojnë dhe festojnë më shumë janë pa dyshim fëmijët./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro