-“Sfidat e para”
Guvernatori Ron DeSantis u pa si kandidati i vetëm republikan që mund t’i bënte “pritë” Trump-it në ambicien e këtij të fundit për të garuar për herë të tretë si figura kryesore e kësaj partie. Pavarësisht se manjati i medias Rupert Murdoch e mbështeti, DeSantis solli një fushatë të dobët e cila e bëri dhe vetë atë që të hiqte dorë e t’i bashkohej turmës që beson te Trump. Ishte dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Haley e cila e sfidoi Trump. Arma e saj? Aludimet se ish-presidenti nuk e ka aftësinë mendore për të drejtuar shtetin dhe as besnikërinë ndaj Kushtetutës. Rrugëtimi i saj zgjati deri në Mars të këtij viti, muaj në të cilin ‘hapi krah’.
-Biden merr vëmendjen, por për keq ama!
Presidenti më i vjetër i Shteteve të Bashkuara krijon një “mish mash” para zgjedhjeve të rëndësishme. Edhe pse ai e mundi Trump vite më parë, mosha bëri të vetën. Në media e mes demokratëve flitej vetëm për paaftësinë e tij për të shkuar drejt një gare tjetër presidenciale.
-“Provat”
Tronditja e parë e vërtetë e fushatës zgjedhore vjen më 30 maj, ditë kur Trump shpallet fajtor për falsifikim të dhënave të një biznesi e pagesa ndaj yllit të pornos Stormy Daniels, në prag të zgjedhjeve 2016. E kjo s’është e vetmja çështje që e futi Trump në përballje me institucionet e drejtësisë. Në periudha të ndryshme, më shumë se 90 akuza kriminale ndaj tij.
-Debati Biden-Trump
Më 27 Qershor në Atlanta, bota gjithë sy e veshë te debati Trump-Biden. Është padyshim një moment që do shenjohet në historinë e politikës amerikane. Pasiguria, ngatërresat dhe pauzat e sikletshme të Biden bënë që edhe adhuruesit e tij më të mëdhenj të ndiheshin të zhgënjyer.
-Trump ia del sërish!
Më 1 Korrik 2024, Gjykata Supreme thotë se “Trump është pjesërisht imun në problemet e tij me ligjin“, duke shtuar se ai “ka vepruar teksa ushtronte funksionin si President”.
-2 atentate në pak javë
Më 13 Korrik 2024, Trump qëllohet në pjesën e pasme të veshit me armë zjarri nga 20 vjeçari Thomas Matthew Crooks. Ky i fundit u pozicionua mbi një çati pranë podiumit ku Trump po mbante fjalimin dhe shkrepi armën plot 8 herë. Vetëm 9 javë më vonë, më 15 Shtator, ish-Presidenti targetohet sërish.
Në klubin e golfit në West Palm Beach të Floridas, 58 vjeçari Ryan Wesley Routh fshihet në shkurre duke pritur për vrasjen e Trump. Të dyja atentatet ndaj këtij të fundit dështuan!
-Ikën Biden!
Më 21 Korrik, Biden heq dorë nga gara presidenciale. Pas spekulimeve të shumta mbi shëndetin e tij, ai i jep “stafetën” demokrates Kamala Harris.
-“Bileta e fatit”
Më 23 Gusht, Kamala Harris ngjitet në podium dhe njofton zyrtarisht marrjen e kandidaturës. Ajo u bë gruaja e parë me ngjyrë që nis një garë të këtij niveli. Impakti i saj ishte tejet i shpejtë e dramatik, në më pak se 3 muaj u mblodhën rreth 1 bilion dollarë fonde për fushatën.
-Definohen pozicionet
Robert Kennedy Jr, që kishte grumbulluar rreth 10% të votuesve në fushatën e tij si i pavarur, dorëhiqet. Sigurisht, këtë vendim e mori duke u gjendur i rrethuar nga një mori skandalesh. Kështu, Harris e Trump u vendosën në pozicione akoma më të qarta para votuesve amerikanë.
-“Bashkëudhëtarët”
Në Korrik, senatori i Ohios JD Vance pranoi ofertën e Trump për t’u bërë zëvendësi i tij. Një lëvizje e papritur nga ana e tij, duke qenë se gjithnjë e kishte deklaruar hapur qasjen kundër Trump, madje e kishte cilësuar këtë të fundit si “Hitleri i Amerikës”. Nga ana tjetër, Harris zgjodhi guvernatorin e Minnesota-s Tim Walz, për të cilin republikanët ishin “njerëz të çuditshëm”.
-“Bilioneri”
Njeriu më i pasur në planet e deklaron publikisht mbështetjen e tij ndaj Trump. Bossi i Tesla-s, “Space X” dhe një sërë kompanive Elon Musk është padyshim ai “asi nën mëngë” i Trumpit.
-Debati Harris-Trump
Më 11 Shtator, Harris përballet me Trump. Ndryshe nga Biden që pësoi disfatë prej kreut të republikanëve, Harris e vuri këtë të fundit me ‘shpatulla pas murit’. Argumentet e saj, postura dhe mënyra si e menaxhoi këtë debat i dha pikë plus në sytë e elektoratit.
-“Yjet”
Edhe pse Trump ka Musk me vete, duket se me Harris janë pozicionuar “një ushtri” personazhesh të famshëm e jo vetëm. (Lexo më shumë)
-“Hitleri i Amerikës”
Komente raciste e tone të ashpra ndaj emigrantëve. Fjalimi i Trump në Madison Square Garden të New York-ut rriti numrin e atyre që ushqejnë urrejtje ndaj ish-Presidentit. Ngjarja u krahasua me tubimin famëkeq nazist të vitit 1939.
-Nis numërimi mbrapsht…
Mbase si rrallëherë, është tejet e vështirë të përcaktohet se kush do drejtojë Shtetet e Bashkuara. Garë e ngushtë mes dy kandidatëve. Cilido qoftë rezultati, reagimet do jenë të pandalshme në secilin krah. Por sipas ekspertëve, një humbje e Trump do e çonte Harris drejt postit me një “turmë që krijon kaos” nga pas.
E.D/tvklan.al