Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili është edhe një personat e kallëzuar në SPAK nga Partia Demokratike për inceneratorët, ka deklaruar se Klodian Mërtiri, personazhi i përfolur nga opozita se qëndron pas 3 inceneratorëve, nuk ka lidhje me këtë koncension.
I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Ahmetaj pranoi se ka qenë me Klodian Mërtirin në makinë kur ndodhi aksidenti në vitin 2017 në Maqedoninë e Veriut.
“Kur flasim për një aksident, duhet të kemi kujdes se ka konseguenca personale dhe duhet t’i referohemni të dhënave zyrtare. Nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut janë të ditura. Ai djali nuk figuron fare. Unë mund të udhëtoj, mund të ha darkë, mund të rri me shumë biznesmenë”.
Edhe pse tek inceneratorët figuron bashkëjetuesja e Klodian Mërtirit, znj.Stela Gugallja, Ahmetaj u shpreh se Mërtiri nuk figuron në asnjë procedurë.
“Ai djali s’është pjesë fare. Unë nuk isha pjesë e procedurës, procedura bëhet nga një autoritetet tjetër kontraktor që është Ministria e Mjedisit. Personi që ju i referoheni nuk figuron fare në dokumente. Bashkëshortja ka përgjegjësi personale në jetën e saj”.
Por gazetari dhe kryeredaktori i lajmeve të Klan Plus, Mentor Kikia nuk e ka pranuar si përgjigje pohimin e Ahmetajt.
Mentor Kikia: Si s’do të thotë asgjë? Domethënë ju mund të jeni në darkë me mua dhe bashkëshortja ime që s’ka asnjë profesion të ketë marrë licencën për të ngritur një fabrikë 25 milionë Euro dhe unë s’kam asnjë lloj impakti?
Arben Ahmetaj: Patjetër! Ç’lidhje ka?
Mentor Kikia: Dhe ju doni që ne ta besojmë këtë?
Arben Ahmetaj: Po do ta besosh se s’bën!
Mentor Kikia: Po jo more.
Arben Ahmetaj: Po ti bë çfarë të duash, në daç beso në daç mos e beso. Kjo është zgjedhja jote. E vërteta është kjo, që në dokumentacion ai nuk ekziston. /tvklan.al