Vështirësitë që pasqyron Raporti i Departamentit të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, Ministri i Financave i sheh të lidhura me Reformën në Drejtësi dhe mbështetjen që po i jep mazhoranca betejës për të goditur korrupsionin.
“Raporti me të drejtë vëren defekte që do të duhet t’i korrigjojmë, patjetër. Është dinamike. Ajo që ne po bëjmë është mbi të gjitha lufta për të pasur një drejtësi që të garantojë të gjithë investitorët e huaj dhe të vendit”.
Atë pikë të raportit ku flitet për mungesë transparence në prokurimet publike dhe dëmtim të konkurrencës nga projektet e Partneritetit Publik Privat, Ahmetaj e komentoi duke bërë një krahasim shifrash me qeverinë e kaluar.
“Numri i koncesioneve që është bërë deri në 2013-ën është 178 koncesione, ndërsa numri që kjo qeveri ka bërë në 4 vite dhe gati 9 muaj është vetëm 39. Oferta të pa kërkuara përpara 2013-s janë 173. Ofertë e pa kërkuar gjatë këtyre 4 viteve dhe 9 muaj janë 15, ndërsa 24 janë oferta të kërkuara”.
Duke iu referuar kontratave të Partneritetit Publik Privat dhe kryesisht ato që lidhen me ndërtimin e rrugëve, ministri tha se ai është një instrument i jep mundësi qeverisë të kryejë brenda një kohe të shkurtër investime që do të kërkonin më shumë se 20 vite të realizoheshin. Për këtë ai mori si shembull Rrugën e Arbrit.
“Rruga e Arbrit me mundësitë që ka buxheti sot nuk është e mundur të ndërtohet. Që do të thotë se nëse do të lemë qytetarët e Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë që të presin deri kur buxheti i shtetit të bëhet gati, do të duhen 15-20 vjet. Këta bëjnë të mundur që qytetarët e Dibrës dhe të Shqipërisë ta kenë rrugën gati brenda 3 vitesh”.
Sipas Ahmetajt qeveria ka vendosur rregulla të rrepta për menaxhimin e risqeve nga kontratat koncesionare. Ai tha se kuadri ligjor i PPP-ve do të përmirësohet, ndërsa u shpreh optimist për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri nisur nga shifrat e tremujorit të parë të këtij viti.
“Me 284 milionë Euro të 3 mujorit të parë i ka të gjitha gjasat që të shkojë në 950-980 milionë Euro. Shumë shpejt ne do të paraqesim në parlament heqjen e mundësisë së ofertës së pa kërkuar në shumë sektorë, sidomos tek infrastruktura. Që do të thotë se duke filluar, ndoshta nga mesi i vitit tjetër, nuk do të ketë më oferta të pa kërkuara, kryesisht në infrastrukturën rrugore”.
Ahmetaj foli edhe për shifrat e të punësuarve duke thënë se janë 670 mijë të punësuar të identifikuar përmes listëpagesave.
Tv Klan