Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme pranë kryqëzimit Kashtë-Bardhë në aksin Lushnje-Berat. Sipas asaj që raporton korrespondentja e Klan News, Anila Sefa, një autobot është përplasur me një zetor.
Petro Piti, shoferi 25-vjeçar i autobotit, i cili për rreth 1 orë mbeti i bllokuar në mjetin e mbushur me naftë, nuk ka mundur të ju rezistojë plagëve të marra. Autoboti përfundoi në tokë bujqësore.
Në ndihmë të tij shkuan qytetarë të shumtë, zjarrfikësja dhe një traktor që bënë përpjekje për ta nxjerrë jashtë shoferin. Nga aty e nisën për në spitalin e Lushnjes, por fatkeqësisht i riu humbi jetën.
Ndërkohë drejtuesi i mjetit bujqësor ka arritur të dalë nga dera dhe ka shpëtuar, ndërsa zetori ka përfunduar në kanal pas aksidentit. Uniformat blu kanë shoqëruar drejtuesin e mjetit bujqësor për hetime të mëtejshme mbi këtë ngjarje të rëndë.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryhen hetimet mbi rrethanat e rastit.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Lushnjë-Berat”, një autobot i ngarkuar me lëndë hidrokarbure me drejtues shtetasin P. P., është përplasur me një mjet bujqësor me drejtues shtetasin A. T.
Nga përplasja ka humbur jetën në spital drejtuesi i autobotit, shtetasi P. P.
Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin A. T., në Komisariatin e Policisë Lushnjë për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
/tvklan.al