Lajme Arkiva 2003
Aksident në Durrës, treni përplaset me një autobot (15 Korrik 2003)
Treni i udhëtarëve i linjës Durrës-Pogradec në afërsi të Golemit rreth 10 kilometra larg Durrësit është përplasur me një autobot duke e marrë atë përpara për 15 metra. Fatmirësisht viktima nuk ka patur.
Drejtuesit më të lartë të hekurudhës shqiptare bëjnë të ditur se shkak i aksidentit është bërë ndalesa e paligjshme mbi lejen hekurudhore. Treni i nisur nga Durrësi në orën 13:20 ka qenë në Golem në orën 13:40 minuta, kohë në të cilën ka ndodhur aksidenti.
Autoboti ishte duke zbritur rrugën kodrës për të dalë në rrugën kryesore automobilistike dhe ka tentuar të kalojë linjën hekurudhore më shpejt se sa treni por nuk ka arritur. Trenisti e ka vënë re autobotin dhe ka frenuar, veprim që ka shmangur pasojat e rëndë.
Drejtuesi i autobotit Arjan Merja 32 vjeç nga Shijaku është dëmtuar shumë lehtë ndërkohë që pasagjerët vetëm sa janë tronditur. Autoboti në kohën e aksidentit ishte bosh pasi ishte shkarkuar në një depo në kodrën e Golemit.
Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhave shqiptare Leondar Jani thotë se kalesat e paligjshme vazhdojnë të përbëjnë rrezik për jetën e njerëzve dhe pavarësisht nga kjo është e vështirë të ndërgjegjësosh njerëzit të mos prekin linjën hekurudhore.
Leondar Jani: Tani ju mund ta shikoni vetë se si janë shtuar kalimet e paligjshme në këtë zonë ku janë krijuar disa pika turistike dhe pronarët e këtyre hoteleve të pikave turistike kanë hapur rrugën në kundërshtim komplet me kodin e hekurudhorëve pa leje nga ne.
Ndërkohë aksidenti ka çoroditur edhe oraret e trenave dhe ka irrituar njerëzit ata janë të detyruar të qëndrojnë edhe për dy orë të tjera në vapën e padurueshme deri sa të largohet autoboti dhe të lirohet rruga e trenit.
Udhëtar: E para fare, shyqyr që shpëtuam, por tjetra na vjen keq që kemi mbi dy orë e gjysmë që presim këtu dhe nuk është marrë asnjë masë nga ana e ministrisë, e drejtorisë së hekurudhës apo kush e ka fajin.
Sipas të dhënave zyrtare të hekurudhës shqiptare në të gjithë gjatësinë e linjave ekzistojnë mbi 140 kalesa të paligjshme të ndërtuara nga vetë njerëzit. Këto përbëjnë rrezik pasi janë krejtësisht të pambrojtura dhe rreziku shtohet kur treni kalon në zona urbane si kjo e Golemit./tvklan.al