Ambasadori i Britanisë në Shqipëri, Duncan Norman, ka ngritur alarmin nga qyteti i Kukësit, lidhur me fenomenin e braktisjes së të miturve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Është një numër i madh fëmijësh të braktisur në Britani e që shkon deri në 400. Bëhet fjalë për fëmijë nën moshën 15 vjeç të pashoqëruar nga prindërit apo të afërm, që kryesisht vijnë nga rajoni i Kukësit. Po përpiqemi të gjejmë mundësinë për t’i rikthyer këta fëmijë, në një ambient më të sigurt në Shqipëri”, tha gjatë fjalës së tij ambasadori britanik.
Sipas Shërbimit Rajonal Social Shtetëror vetëm gjatë vitit 2016 janë riatdhesuar nga Britania e Madhe 15 të mitur kuksianë.
“Ne duam që këto fëmijë të rriten të sigurt pranë familjeve të tyre me të gjitha nevojat e tyre sociale ekonomike”, tha Besart Mataj.
Kukësi është një ndër qarqet në vend, me një numër të konsiderueshëm familjesh apo individësh që kanë emigruar në Britani./Tvklan.al