Mungesa e një konsensusi me opozitën, bëri që mazhoranca të mos tërhiqet nga votimi në seancë plenare për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, ndonëse një ditë më parë paralajmëruan të kundërtën.
Kjo nismë mori 74 vota pro, 6 kundër dhe asnjë abstenim.
Përveç grupit të Gazment Bardhit që deklaroi zyrtarisht votën kundër, edhe Lulzim Basha e kundërshtoi këtë iniciativë duke e konsideruar një manovër elektorale të socialistëve.
Lulzim Basha: Sillni në këtë sallë një propozim për një komision që siç dihet fare mirë krijohet kur do të varrosësh një ide të mirë apo të mos bësh asgjë. Pse bëni sikur nuk e shikoni propozimin tonë, ligjin për vetingun e politikanëve që ka që në 15 Nëntor në Kuvendin e Shqipërisë.
Elisa Spiropali: Me fjalë që mbështesni reformën në drejtësi, por kur atëherë kur nuk kishi këto pak deputetë të katandisur në një grup të vogël si pakica e pakicës dhe kur ishit në krye të asaj partie ju braktisët zgjedhjet dhe braktisët Kuvendin pikërisht për të mos votuar ligjet që ridhnin nga reforma në drejtësi.
Deputeti demokrat, Dashnor Sula i kërkoi Kuvendit të heqë nga rendi i ditës pr.vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, për të lejuar fillimisht raportimin e institucioneve të drejtësisë.
Dashnor Sula: Do të ishte shumë normale që të gjithë këto institucionet e pavarura të drejtësisë të raportonin në Kuvendin e Shqipërisë, të kishin debate këtu në Kuvendin e Shqipërisë dhe pastaj ky komision që ju e keni me kaq zemër nuk besoj se prish punë edhe dy javë që nuk u luftua korrupsioni.
Ndër të tjera, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla rrëzoi edhe kërkesën e PD për të zhvilluar një mocion me debat për sulmet ndaj gazetarëve.
Lindita Nikolla: Kam vendosur të mos pranoj mocionin me debat kërkuar nga ju pasi nuk është në përputhje me parashikimet e rregullores së Kuvendit.
Ina Zhupa: Në cilën pjesë të rregullores e keni lexuar se mocionet me debat do të duhet të bëhen vetëm për veprimtari të Këshillit të Ministrave. A më thoni dot ju zonja kryetare që merrni përsipër të bëni zonjën ushtare që në cilën veprimtari të Këshillit të Ministrave është lufta në Ukrainë për të cilën ne kemi bërë një mocion me debat dhe një rezolutë.
Ky diskutim i parapriu një incidenti brenda sallës plenare të Kuvendit, ku gardisët e këtij institucioni penguan punonjësit e mediave për të qendruar dhe filmuar në hapësirën e dedikuar për ta. Kjo situatë solli edhe reagimin e deputetëve të opozitës.
Ina Zhupa: Nuk ka asnjë të drejtë që të largoni gazetarët nga salla e shtypit. Maksimumi mund të largoni kamerat nga transmetimi meqë kemi RTSH, por nuk mund të largoni gazetarët.
Gazetarët kërkuan nga institucioni i Kuvendit marrjen e menjëhershme të masave për mospërsëritjen e këtyre situatave.
Klan News