Armela Imeraj: “Dje Sali Berisha akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste se e ka quajtur rrugën Durrës-Kukës, rrugën e asgjëkundit, duke e prodhuar kështu shpifjen e ulët të ditës në të njëjtën ditë që kolegji zgjedhor mbylli turpshëm maskaradën zgjedhore me shkeljen flagrante të ligjit dhe mohimin e përsëritur të së drejtës demokratike të opozitës për të bërë transparencë mbi kutitë e dyshuara të Beratit, Tiranës dhe Shkodrës. Dje Sali Berisha vijoi rrugëtimin e turpshëm të akuzave dhe shpifjeve në adresë të kryetarit të Partisë Socialiste, ndërkohë që në rrugën e asgjëkundit hyri përfundimisht qeveria shtatanike e çiftit të ri të politikës së vjetër, qeveri e cila doli jo vetëm nga zgjedhjet pa standarde demokratike, por edhe nga dhunimi i ligjit dhe të drejtës demokratike të opozitës deri në etapën e fundit të procesit ku drejtësia nuk dha drejtësi, por vulosi padrejtësinë dhe pandershmërinë e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Dje Sali Berisha vazhdoi shfaqjen e inaugurimit të rrugëve pa buxhet në përpjekje për të fshehur krizën ekonomike dhe politike ku tashmë vendi ndodhet realisht në radhë të parë sepse Sali Berishës nuk i intereson vendi, por vetëm pushteti i përfitimeve për oborrin e tij familjar, interesat e të cilit do ta shtyjnë përditë e më shumë në rrugën e asgjëkundit qeverinë shtatanike të dalë nga krimi elektoral i 28 Qershorit.”/tvklan.al