Lajme Arkiva 2003
Ndalohet një tjetër person i arratisur dje nga dhomat e paraburgimit në Dibër. Ai është Xhemal Loka dhe është një nga 10 personat që përfituan nga hapja e dyerve të dhomave të izolimit për tu larguar.
Pasi njëri prej gardianëve ka hapur derën e njërit prej të ndaluarve ai ka përdorur mjete të forta për të hapur edhe dyert e të arrestuarve të tjerë. Rojën e kanë lidhur për të mos i penguar por me të rënë alarmi një pjesë e tyre janë rikthyer në izolim.
Nga 10 të arratisurit brenda disa orëve u kapën 9 prej tyre. Si përgjegjës u arrestuan edhe policët Qerim Veseli, Fiqeri Kaçaku dhe Ferit Gëziqi.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë kanë deklaruar se nuk mbajnë përgjegjësi për këtë incident, sipas tyre është Ministria e Rendit Publike e cila ka në varësi komisariatet.
Burimet e Drejtorisë së Burgjeve shtojnë se të arratisurit janë ende në proces gjyqësor për veprat penale të kryera dhe nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Megjithatë ky incident është i dyti brenda këtyre muajve në qarkun e Kukësit.
Nga drejtoria e këtij rrethi u arratisën disa të dënuar nga dhomat e izolimit dhe u ndëshkuan disa prej gardianëve si përgjegjës.
Aktualisht në burgjet e vendit tonë ka mbipopullim të dënuarish ndërkohë që komisariatet janë të tejmbushur jo vetëm me të ndaluar dhe arrestuar por edhe me persona të dënuar për krime të rënda për të cilët nuk ka më vend në burgje.
Burgu i Peqinit dhe ai i Lezhës ende nuk kanë nisur të funksionojnë ndonëse është premtuar se do të çeleshin disa muaj më parë./tvklan.al