Surprizat sapo kanë filluar për Marsela Çibukajn në ”Ka Një Mesazh Për Ty” sepse ditëlindja e këngëtares duket se do të zgjasë edhe më shumë. Pasi mësoi nga moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea se kënga e dytë e albumit të saj, “Fajet” ndryshe nga ç’ishte parashikuar, do të publikohet këtë të diel, ka ardhur momenti për të zbuluar kush ndodhet pas ekranit.
Dyshimi i parë i këngëtares janë prindërit e saj, edhe pse ajo thotë se i ka përcjellë vetë për në Itali vetëm pak ditë më parë. Megjithatë, në ekran shfaqen pikërisht prindërit e saj që i kërkojnë falje dhe i shprehin krenarinë e pamatë Marselës së përlotur.
Babai i Marselës, Vladimir: Marsela, të keqen babi! Babi në fillim nuk e kuptoi që ti kishe pasion për muzikën, meqë ishe e shkëlqyer në shkollë mendoja që të bëheshe një avokate.
Nëna e Marselës, Adelina: Marsela, edhe mami të kërkon falje zemër sepse asnjëherë s’të kemi kuptuar! Ia vlejti me gjithë mend ajo zhurma e vogël që ti bëje nëpër shtëpi. Jo vetëm kaq, por në pushimet verore ti mundoheshe të punoje për të blerë një instrument kështu që zhurma u shumëfishua në shtëpinë tonë, por ia ka vlejtur me gjithë mend ajo zhurmë sepse arrite atje ku je sot. Ne jemi shumë krenarë për ty shpirt i mamit, të urojmë suksese dhe jemi prindërit më të lumtur në botë.
“Dy prindër të mrekullueshëm! Një surprizë shumë e bukur! Faleminderit Ardit!”, tha këngëtarja mes lotësh./tvklan.al