“Qeveria vazhdoi me koncensionet si në kohë normale”
Lulzim Basha dëgjoi ankesat e drejtuesit të një fasonërie në Krujë për mungesën e ndihmës nga qeveria gjatë kohës së pandemisë.
Pjesa më e madhe e fuqisë punëtore në këto bisnese janë gra, të cilat në shumicën e rasteve janë i vetmi burim të ardhurash në familje.
Drejtuesit e fasonerisë pranojnë largimet nga puna, por thonë se nuk kanë marrë përgjigje nga aplikimet për mbështetje nga qeveria.
“Kam patur rreth 60 punonjës, kam hequr 32 nga puna, të gjitha gra dhe vetëm 11 prej tyre kanë marrë pagën e luftës. Vazhdoj të aplikoj, por nuk kam përgjigje, nuk e di a do të dëgjohet zëri”, i tha pronari i një fasonerie kreut të opozitës.
“Problemi ka për të qenë në vazhdim. Po t’i shikosh, dikush që punonte para një jave, sot nuk punon më. Mund të jenë 6-7 ndërmarrje që janë mbyllur 2 ditët e fundit. Paketat nuk ishin fare për ne, pa asnjë ndihmë financiare. Nga 160 vetë vetëm 13 kanë marrë ndihmë. Kam shkurtuar shumë vende pune, më vjen keq, por isha i detyruar”.
Për kreun e Partisë Demokratike, kjo situatë vjen si pasojë e një qeverie që paratë i investon ne tendera dhe koncesione.
“Arsyeja pse nuk ju kanë mbështetur është se këta nuk kanë ndarë para për ekonominë. Kanë vazhduar tendera, koncesione, PPP, si të ishim në kohë normale. Lekët që duhet të vinin tek ju, i kanë çuar atje. Kjo është arsyeja pse e gjithë ekonomia, e gjithë industria është në vështirësi, në veçanti ju dhe turizmi”, tha Lulzim Basha.
Në takimin me përfaqësuesit e shoqatës së fasonëve, kreu i demokratëve ka mbështetur kërkesat e tyre për subvencionim të pagës së punonjësve dhe lehtësi fiskale, për një industri që punëson rreth 70 mijë gra e vajza.
Tv Klan