“Shërojmë sistemin, paga dinjitoze për mjekët”
Pas rimëkëmbjes së ekonomisë, shërimi i shëndetësisë është zotimi i radhës që Lulzim Basha angazhohet se do ta përmbushë pas ardhjes në pushtet. Ndaj dhe në planin e hartuar nga ekspertët demokratë prioritet thotë se ka ndërtimin e një sistemi model për të gjithë rajonin. Por që kjo të ndodhë Basha thotë se ulja e tarifave është alfa e shërimit të këtij sektori.
“Angazhohemi jo vetëm të ulim tarifat që mos shkojnë në xhepat e atyre që kanë kapur sistemin, por pacienti do të vendoset në qendër të sistemit sipas parimit “paraja ndjek pacientin.” Ju vetë do të zgjidhni mjekun e familjes, klinikën, apo spitalin ku doni të kuroheni”.
Premton riorganizim të sistemit shëndetësor dhe paga dinjitoze për bluzat e bardha.
“Spitalet publike do të riorganizohen duke dhënë autonomi menaxheriale, për të rritur kujdesin dhe aftësinë për t’ju shërbyer ju sa më mirë. Paga e infermierëve do të bëhet 700 Euro dhe e mjekëve do të bëhet 1200 Euro.”
Largimi i bluzave të bardha jashtë vendit thotë se dikton rritje të stafeve mjekësore.
“Ne do të rrisim numrin e mjekëve dhe do të hapim një fakultet të ri mjekësor në Shqipëri”.
Ndryshim rrënjësor parashikohet edhe sa i përket skemës së rimbursimit të barnave si dhe kontrollit të tyre.
“Ilaçet do të rimbursohen sipas diagnozës dhe jo sipas skemës aktuale kufizuese që lë jashtë saj shumë medikamente për njerëzit dhe i detyrojnë ata të paguajnë nga xhepi”.
Sipas Bashës në planin për shëndetësinë specializantët do të paguhen 950 Euro në muaj. Atyre do t’u zerohet kuota e studimit prej 11.5000 lekë të reja në vit, si dhe u lihet i hapur mundësia për punësimin e tyre pas specializimit, bazuar në konkurrimin e lirë pranë çdo spitali.
Tv Klan