Një përgjim audio i pjesshëm i një bisede mes nënkryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Denar Biba dhe gjyqtarit shqiptar të Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku, nxorri në konferencë të posaçme shtypi kreun e Partisë Demokratike, që e quajti provë se qeveria po funksionon si organizatë kriminale dhe si po e kap ai drejtësinë përmes reformës së re.
Lulzim Basha:
“Siç jeni njoftuar përmes medias sot, një audio regjistrim ku dëgjohet shkoqur sesi gjyqtari shqiptar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, shantazhohet në emër të Engjëll Agaçit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe krahut të djathtë të Edi Ramës, të ndikojë për të bllokuar vendimet e Strasburgut për pronat, siç e kërkon qeveria e Edi Ramës dhe kundër pronarëve shqiptarë, përbën provën më tronditëse të zbuluar në këto 28 vite, që fakton që qeveria e Edi Ramës me të në krye tashmë funksionon si një organizatë tipike mafioze. Audio regjistrimi i Denar Bibës, aktualisht nënkryetar i KQZ-së dhe kandidat i Edi Ramës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është prova më e pakundërshtueshme sesi e sheh dhe e projekton Edi Rama drejtësinë e re”.
Në pjesët e bisedës së publikuar nga faqja Exit.al, Biba përmend emrin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, flet për një takim të një delegacioni shqiptar në Strasburg në vitin 2014 të kryesuar nga zv/Kryeministri i atëhershëm Niko Peleshi, për t’i kërkuar Gjykatës së Strasburgut të pezullonte shqyrtimin e rasteve që lidheshin me kthimin e kompensimin e pronave në Shqipëri deri në hartimin e një ligji të ri.
Për Lulzim Bashën, biseda është shantazh i pastër ndaj gjyqtarit Bianku, në dëm të pronarëve shqiptarë.
Lulzim Basha: “
Regjistrimi audio i publikuar në media, tregon qartë se si Denar Biba, në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, shantazhon gjyqtarin shqiptar në Strasburg, që të bëjë kompromis me Edi Ramën në kurriz të të drejtave të pronarëve shqiptarë.
Kërcënimi dëgjohet qartë: Nëse nuk zbaton porosinë e Edi Ramës “pas përfundimit të mandatit do të mbetet pa punë dhe se sakrifica për të zbatuar me korrektësi ligjin nuk do t’i shërbejë për asgjë”.
Denar Biba nuk mohon takimin e zhvilluar në Strasburg me Ledi Biankun, por hedh poshtë akuzat për shantazh. Interesit të televizionit Klan iu përgjigj duke kërkuar publikimin e plotë të bisedës.
Denar Biba:
“Përgënjeshtrimi më i saktë është e vërteta. Ai që publikoi bisedën e gjymtuar, le të publikojë bisedën e plotë. Kush ka frikë nga e vërteta, me siguri është në anën e së keqes. Unë kërkoj publikimin e bisedës nga sekonda e parë tek e fundit. Kaq mjafton
“.
Por Lulzim Basha thotë se kjo është një vepër e pastër penale, për të cilën Prokuroria duhet të kishte nisur hetimet.
Lulzim Basha:
“Ky shantazh është një akt të mirëfilltë mafioz përbën një rast të paprecedentë jo vetëm në historinë e shtetit shqiptar, por edhe në historinë e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut.
Engjëll Agaçi dhe Denar Biba, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me porosi të Edi Ramës, kanë kryer veprat penale të korrupsionit aktiv dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike.
Prokuroria duhet të kishte nisur këtë mëngjes procedimin penal ndaj tyre, dhe duhet ta kishte komunikuar këtë publikisht, për të treguar se nuk është një vegël në dorën e Edi Ramës dhe të sejmenëve të tij.
Por prokuroria e kapur nga Edi Rama hesht, siç ka heshtur për çdo krim dhe çdo hetim që përfshin zyrtarë të lartë të qeverisë së Edi Ramës”.
Basha tha se Rama duhet të shkarkonte Bibën dhe Agaçin dhe t’ua dorëzonte drejtësisë. Sipas tij, shantazhi ndaj gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, tregon qartë mekanizmin që përdor Edi Rama për të kontrolluar çdo vendim të prokurorëve, gjyqtarëve e komisionerëve të Vettingut në Shqipëri.
Tv Klan