Në analizën e tij në emisionin “Opinion” në Tv Klan për listat e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për zgjedhjet 2025, Baton Haxhiu u ndal fillimisht te Tirana. Ai tha se ky mund të jetë rasti i fundit që Erion Veliaj mund të ketë sepse pas dy vitesh do të ketë zgjedhje të tjera.
Sipas Batonit, kryetari i bashkisë duhet të mbyllë karrierën politike ose të vazhdojë i vetëm. Në opinionin e tij, Batoni shton se vendosja e Spiropalit dhe Manastirliut në krah do ta tkurrë pozitën e Erion Veliajt duke e vështirësuar betejën për Tiranën.
Pjesa tjetër e analizës së Haxhiut u fokusua fillimisht te Fieri. Ai tha se ka një përballje mes Belinda Ballukut dhe Gazment Bardhit si dy figura të kundërta, por dominuese. Duke iu rikthyer Tiranës, ai vlerësoi dy prej figurave të Partisë Demokratike si më të konsoliduarat, Oerd Bylykbashin dhe Belind Këlliçin, i cili është gjithashtu i pranishëm në studion e “Opinion”.
Baton Haxhiu: Një gjë është karakteristike te Fieri: kemi një garë. Belinda Balluku dhe Gazment Bardhi. Është interesante se janë dy figura që e dominojnë jetën politike në një mënyrë apo tjetrën, majtas dhe djathtas. Gaz Bardhi i cili realisht është një figurë e ndjeshme, me fjalor të ashpër kurse Belinda Balluku është një figurë femërore por me karakteristika mashkullore, udhëheqëse, zëvendëskryeministre. Nuk po ofendoj meshkujt me këtë, por po them cila është karakteristika. Ajo që është interesante gjithashtu te Tirana, e ke Belind Këlliçin që është sot këtu, po mos të ishte do të kisha thënë diçka tjetër.
Blendi Fevziu: Thuaje, thuaje tani që e ke këtu, por thuaj të drejtën Baton, mos e ndërro!
Baton Haxhiu: Belind Këlliçi realisht është i vetmi në listë bashkë me Oerd Bylykbashin që kanë bërë beteja opozitare gjatë këtyre dy viteve. Belindi për Tiranën, edhe pse e ka humbur Tiranën ai ka bërë betejë për të vërtetën dhe korrupsionin, kurse Oerd Bylykbashi ka bërë betejën e tij politike deri në fund për ta fituar atë që Partia Demokratike sot e gëzon.
Blendi Fevziu: Po mos të ishte Belindi çfarë do të thoshe?
Baton Haxhiu: Unë mendoj që është figura më e konsoliduar në këtë listë, bashkë me Oerdin./tvklan.al