Të ecurit këmbëzbathur për shumë mund të jetë një kënaqësi e veçantë. Por është shumë e rëndësishme që të bëni kujdes se në çfarë ambienti ndodheni kur e bëni një gjë të tillë.
Kjo pasi mund të ndodhë të merrni edhe infeksione që mund të kërcënojnë shëndetin, si në rastin e këtij burri nga Teksas, SHBA, i cili ra në kontakt me një bakter mishngrënës, pasi lëvizi me këmbë të zbathura në palestër.
Siç shkruan e përditshmja britanike “Daily Mail“, burri mendoi fillimisht se bëhej fjalë për lyth, por pavarësisht kurave të ndryshme ajo nisi të përhapej nëpër këmbë, duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë.
Pasi iu nënshtrua një operacioni për kurimin e kësaj gjendjeje, ai thotë se po e ndan këtë foto me të tjerët për të paralajmëruar për rrezikun që ekziston në dyshemetë e dhomave të dushit.
Burri, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, mësohet se po trajnohej për një maratonë në një palestër në lagjen e tij dhe shkonte atje rregullisht ku dhe ra në kontakt me këtë bakter.
Pas disa muajsh me dhimbje të tmerrshme, ai iu nënshtrua operacionit. Tani, rreth dy muaj më vonë atij i duhet të paktën një muaj tjetër që të mund të rinisë të ecë normalisht.
Ai këshillon të gjithë njerëzit që të mos bëjnë të njëjtin gabim dhe të përdorin gjithnjë shapka, kudo që lëvizin./tvklan.al