Në një intervistë dhënë për agjencinë gjermane te lajmeve, Deutsche Welle, kryeministri Berisha përshëndeti vendimin e KE për heqjen e vizave me disa vende të Ballkanit Perëndimor.
I pyetur sa i takon Shqipërisë për këtë çështje, kryeministri Berisha theksoi se faktorët kryesorë që po zgjasin këtë proces janë vonesat në pasaportat biometrike dhe ndonjë kusht tjetër që ka mbetur i paplotësuar.
Megjithatë, theksoi ai, këto kërkesa nuk janë penalizuese apo diskriminuese për Shqipërinë, pasi kërkohet arritja e disa standardeve.
Kryeministri Berisha theksoi se qeveria nuk priste heqjen e vizave në të njëjtën kohë me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, kjo pasi, siç tha ai, vendi ynë është ende në proces zgjedhor të papërfunduar dhe nuk është mbyllur pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike.
Kryeministri theksoi se Komisioni Evropian mban një qëndrim objektiv sa i takon Shqipërisë, dhe se qeverisë i mbetet tashmë të plotësojë të gjitha kërkesat për lëvizjen e lirë, e cila bëhet mbi bazën e standardeve të larta. Ne këtë interviste, kreu i qeverise ka folur edhe për procesin zgjedhor, duke e vlerësuar atë, si dhe për koalicionin e ri qeverisës.
Ai e cilësoi edhe njëherë bashkëpunimin me LSI-në një koalicion të Shqipërisë Evropiane, që do të ketë prioritetin e madh dhe kryesor, atë të integrimit në Bashkimin Evropian.
Për Edi Ramën, kreun e selisë rozë, Berisha tha se ai nuk arrin të pranojë humbjen dhe faktin që populli shqiptar votoi koalicionin e djathtë./tvklan.al