Kryeministri Sali Berisha është ndalur në Fushë-Krujë në turin e tij “Shqipëria po ndryshon”, ku ka përuruar disa vepra publike në infrastrukturën rrugore. Në përurimin e fillimit të punimeve të rrugës Fushë Krujë-Krujë me vlerë 59 milionë lekë dhënë nga buxheti i shtetit, kreu i ekzekutivit ka premtuar investime të tjera në mënyrë që Shqipëria të ketë një infrastrukturë moderne.

Sali Berisha:Dua t’ju premtoj ju se një seri veprash të tjera të mëdha nisin gjatë këtyre muajve që vijnë po përfundon projekti i rrotondës, po përfundon projekti i ndërtimit të rrugës Fushë-Krujë-Milot. Do të fillojë rruga Krujë-Qafështamë.”

Në këtë ndalesë, sikundër një ditë më parë kur parlamenti votoni me unanimitet paketën ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kreu i qeverisë ka theksuar se anëtarësimi i plotë në fillim të prillit është ngjarja me e rëndësishme për kombin shqiptar pas shpalljes së pavarësisë.

Sali Berisha:Ne për një javë me përkushtimin tonë, e rivendosim Shqipërinë aty ku prijësi ynë legjendar e vendosi dhe e projektoi atë, për të gjithë ata të cilët i thonë dritës dritë dhe ndryshimit ndryshim. Ky është ndryshimi më i madh.”

Më pas kryeministri ka inauguruar përfundimin e asfaltimit të rrugëve të brendshme, në fshatin Luz i Poshtëm. Ndonëse pa referim konkret, kreu i qeverise ironizoi bashkinë e Tiranës kur tha se rrugët e këtij fshati do t’i kishte zili edhe kryeqyteti.

Sali Berisha:Asfalti shkon në çdo derë shtëpie, këtë fshat do ta kishin lakmi pjesa dërrmuese e lagjeve dhe rrugëve të Tiranës, të themi të vërtetëm. Ju garantoj ju, se marrë në km shumë më të mëdha janë, shumë më të shumta janë km që ne kemi investuar në rrugët rurale dhe infrastrukturën e fshatrave.”

Po kështu, kryeministri u kërkoi edhe njëherë qytetareve që të aplikojnë për t’u pajisur me dokumentet e rinj të identifikimit, si dhe kërkoi angazhimin e tyre që zgjedhjet e 28 qershorit të jen me standarde dhe më demokratiket që ka zhvilluar ndonjëherë vendi.

Sali Berisha:Në interesin tuaj më të mirë, t’i merrni letërnjoftimet e reja, t’i merrni edhe si një arritjen tonë të madhe. Këto zgjedhje duhet të jenë pasqyra e vërtetë e maturisë tonë, duhet të jenë dëshmi e madhe se ne e justifikojmë besimin që të tjerët vendosin mbi ne.”/tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi