Duke pranuar se situata në Shkodër po rëndohet për shkak të motit të keq, kryeministri Berisha deklaroi se qeveria është në prag të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Në një konferencë të posaçme ai tha se ky vendim do të merret në koordinim me Komitetin Ndërministror të Emergjencave dhe Shtabin e Përgjithshëm, të ngritur në qytetin e Shkodrës.
Në këtë kontekst ai u bëri edhe një herë thirrje banorëve të braktisin shtëpite e tyre dhe tha se nëse do të jetë e nevojshme, evakuimi i tyre do të bëhet me forcë, për të evituar humbjet në jetë njerëzish.
Po kështu, kryeministri tha se gatishmërinë për të dhënë ndihmë për kapërcimin e kësaj situate kanë dhënë edhe vendet aleate.
Në këtë konferencë, kreu i qeverisë reagoi edhe ndaj qëndrimeve të Partisë Socialiste mbi situatën, duke e quajtur amoralitet.
Kryeministri ka garantuar se banorëve të dëmtuar do t’u dëmshpërblehet për çdo qindarkë. Në rast se nuk do të mjaftojë Fondi i Emergjencave, sipas Berishës, për dëmshpërblimin e tyre do të përdoren të ardhurat që vijnë nga eksporti i energjisë elektrike.
Tv Klan