Për t’u rikthyer e djathta në pushtet, Sali Berisha thotë se duhet të ndiqet motoja e Presidentit Donald Tramp, që sipas tij i jep fund kapjes së drejtësisë nga Xhorxh Sorosi dhe synon rimëkëmbjen e ekonomisë.
Shembullin e Presidentit Trump, Berisha kërkoi nga drejtuesit politik në qarqe të ndiqet edhe përsa u përket qëndrimeve ndaj mediave tradicionale dhe kërkoi të përdoren më shumë rrjetet sociale.
“Në qoftë se ka një mësim kryesor që ne mund të nxjerrim nga fitorja e Presidentit Donald Trump është takimi me njerëzit si rruga më e suksesshme. Ju garantoj se në këtë rrugë ne do përmbysim propagandën mashtruese të 4 RTSH-ve të klonuara nga zyra e Edi Ramës dhe ERTV-ja e tij.”
6 muaj përpara zgjedhjeve, Berisha u shpreh se PD ka gati programin për emergjencën që synon pagën minimale 500 Euro dhe atë mesatare 1200 Euro, si dhe dyfishim të pensioneve. Për gjithë skeptikët, i shpjegoi se ku do gjenden paratë.
I gatshëm u shpreh për të votuar çdo ndërhyrje për votën e diasporës, duke i cilësuar emigrantët “Leva e Arkimedit” në zgjedhje.
Sali Berisha ripërsëriti se largimi i Kryeministrit Rama dhe krijimi i një qeverie teknike janë kusht për opozitën, duke i ftuar demokratët që të përgatiten për mosbindje civile të zgjatura dhe për sakrifica.
Tv Klan