Koronavirusi ka marrë hov në Amerikën Latine, ku Brazili dhe Meksika kanë shënuar numrin më të madh ditor të viktimave.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Brazil, ky vend ka regjistruar 1,437 vdekje në 24 orët e fundit.
Në total, Brazili ka tani 34,021 viktima nga koronavirusi – më së shumti në botë pas SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, e ka minimizuar vazhdimisht pandeminë, duke iu bërë presion shteteve që të rihapin ekonominë dhe duke iu thënë qytetarëve se vdekja është “fati i të gjithëve”.
Në Meksikë, autoritetet raportuan për 816 viktima nga koronavirusi në 24 orët e fundit.
Me këto të dhëna, numri i përgjithshëm i tyre kalon 12,500.
Edhe presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, ka thënë se qytetarët nuk duhet t’i zmadhojnë gjërat.
Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 6.6 milionë njerëz.
Prej tyre, mbi 2.8 milionë janë shëruar dhe mbi 391,000 kanë vdekur. /REL