Nuk kanë asnjë ndryshim me një film horror pamjet e publikuara në internet të nënës së dy fëmijëve, e cila u gjet brenda barkut të një pitoni 8 metra të gjatë.
Banorët e zonës në Sulawesi të Indonezisë u tmerruan kur, pasi çanë barkun e gjarprit gjigand, gjetën trupin e 54-vjeçares, Wa Tiba.
Sipas asaj që shkruan DailyMail, nëna e dy fëmijëve ishte parë për herë të fundit duke ujitur bahçen në shtëpinë e saj mbrëmjen e së enjtes.
Por kur nuk mundën ta gjenin gjëkundi, dy djemtë e saj u shqetësuan dhe nisën ta kërkonin. Pas pak kohësh ata gjetën sandalet e saj, ndërsa rreth 30 metra më tutje, fëmijët zbuluan gjarprin gjigand me barkun e fryrë.
Të tmerruar për atë që dyshonin se mund t’i kishte ndodhur nënës së tyre, fëmijët telefonuan policinë. Me qindra banorë u mblodhën në fshatin e largët Mabolu. Ata e vranë fillimisht pitonin dhe më pas e hapën, duke gjetur trupin e pajetë të gruas.
Banorët e përshkruajtën të gjithë këtë ngjarje si tronditëse.
“Është si një film horror. Njerëzit janë të tmerruar. Kemi frikë të dalim jashtë… e vetmja gjë që mund të bëjmë është të lutemi”
, tha një banor.
/tvklan.al