Në një ceremoni të organizuar në godinën e Parlamentit në Shkup, presidenti i ri i Maqedonisë, George Ivanov, u betua si kreu i katërt i shtetit në historinë 18-vjeçare të vendit. Ceremonia nisi me himnin kombëtar, vazhdoi me betimin e kreut të shtetit dhe u mbyll me fjalimin e tij, ku Ivanov sqaroi, se përparësia e tij do të jetë integrimi euroatlantik i Maqedonisë.
Gjeorge Ivanov: “Agjenda ime është e qartë dhe e pagabueshme. Një Maqedoni anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s. Një Maqedoni e fortë, e respektuar, e barabartë dhe me qytetarë krenarë të begatë dhe të lumtur”.
Të ftuar në ceremoninë e marrjes së detyrës, ishin katër presidentë nga rajoni presidenti shqiptarë Bamir Topi, ai kroat Stipe Mesic, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanovic dhe ai i Serbisë Boris Tadic. Në ceremoni nuk mori pjesë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës Ivanov deklaroi se përparësitë e tij do të jenë gjithashtu qëndrueshmëria e brendshme në vend, marrëdhënie të shëndosha ndëretnike, ringritja ekonomike dhe bashkëpunim i ngushtë me vendet fqinje e veçanërisht Greqinë. Por për gazetat vendase të cilat i referoheshin mos ftesës së Fatmir Sejdiut, fillimi i presidencës maqedonase me një njollë të tillë etnike ishte plotësisht i panevojshëm.
George Ivanov, fitoi bindshëm në zgjedhjet presidenciale të para disa javëve, por ishte një ndër më pak të votuarit nga shqiptarët. Në postin e kreut të shtetit ai zëvendëson Presidentin, Branko Cervenkovski. Ky i fundit erdhi në krye të shtetit në zgjedhjet e organizuara para kohe në vitin 2004 , pas vdekjes në aksidentin ajror të Boris Trajkovskit. Cervenkovski do të mbahet mënd për vlerësimet që ka marrë vendi, për mos anëtarësimin në NATO, për mosmarrëveshjet me Greqinë, por dhe për marrëdhëniet e vështira me qeverinë e VMRO-DPMNE të drejtuar nga kryeministri, Nikolla Gruevski./tvklan.al