Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu, Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, si dhe ambasadori i SHBA në Shqipëri Jeffrey, kanë marrë pjesë sot në një ceremoni ushtarake në regjimentin e komandove të Zall-Herrit.

Kjo ceremoni është zhvilluar në përkujtim të viktimave të rëna në SHBA gjatë sulmit terrorist të kryer në 11 Shtator 2001 në Nju Jork, si dhe me rastin e përgatitjes së kontingjentit të dytë të forcave ushtarake shqiptare, të cilat do të nisen së shpejti në misionin e tyre paqeruajtës në Irak.

Pas fjalës së rastit të mbajtur nga dy ushtarakë të forcave të armatosura të Shqipërisë dhe Amerikës, e ka marrë fjalën dhe ambasadori i SHBA në Tiranë Jeffrey.

Ambasadori James Jeffrey:- “Dhe suksesi ynë në këtë luftë kundër terrorizmit global, varet mjaft në aftësinë tonë që të gjithë së bashku të formojmë koalicione ndërkombëtare, të njerëzve që e duan paqen për të qenë gatitë luftojnë e të luftojnë ashpër dhe të luftojnë mirë për ta ruajtur këtë paqe”.

Po ashtu ambasadori Jeffrey ka përgëzuar trupat tona komando, të cilat sapo kanë mbaruar një stërvitje të përbashkët me forcat speciale amerikane. Në fjalën e tij, presidenti Moisiu ka thënë, se terrorizmi ëhtë një kërcënim dhe një sfidë e këtij shekulli. Shqipëria tha ai më pas është krenare që është krah fitimtarëve, SHBA dhe për faktin që u rendit përkrah koalicionit për luftën kundër terrorizmit.

Presidenti Afred Moisiu:- “Pranova me shumë kënaqësi ftesën për të ardhur këtu tek ju për të përkujtuar së bashku 11 Shtatorin. Dy vjet më parë, terrorizmi ndërkombëtar goditi kullat binjake në Nju Jork dhe bashkë me to vlerat e qytetërimit, lirisë dhe demokracisë”.

Gjatë jalës së tij, presidenti Moisiu është prononcuar dhe për gjendjen politike, si dhe për procesin zgjedhor në vend.

Presidenti Afred Moisiu:- “Zgjedhjet e Tetorit kanë një rëndësi të madhe për vendin, ndaj unë do të vazhdojë të bëjë monitorimin e tyre në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e mija kushtetuese”.

Më pas 70 trupat komando të përgatitura dhe gjatë një stërvitje të përbashkët me trupa amerikane, morën certifikatat e kualifikimit profesional. Këta ushtarë së shpejti do të nisen për në Irak, në kuadër të nisjes së kontingjentit të dytë paqeruajtës të forcave ushtarake shqiptare./tvklan.al