Çmimi i naftës ra në pikun më të ulët këto tre muaj duke prekur kufirin e 111 dollarëve për fuçi e më pas duke u stabilizuar në 113 dollarë.
Me rënien e çmimit të naftës karteli i vendeve eksportuese, OPEC, parashikoi se etja e botës për arin e zi në vitin 2009 do të bjerë në pikun më të ulët që nga viti 2002.
Çmimi i naftës ka pësuar një rënie prej 23% që nga mesi i Korrikut, ku një fuçi u shit me 147 dollarë.
Rënia e këtyre ditëve është pasqyruar edhe në tregjet perëndimore. Në Kanada për shembull një litër naftë u shit me 1.31 dollarë, ndërsa një muaj më parë ishte 1.40 dollarë litri.
Në rënien e çmimit të naftës ka ndikuar edhe konflikti me Gjeorgjinë, për shembull të premten kur trupat ruse kontrollonin qytetin gjeorgjian të Gorit nafta bruto ra me 2.84 dollarë.
Analistët shprehen se kjo mund të ndikojë dhe në kurbën e naftës në të ardhmen. Rreziku politik prek transportin e naftës dhe gazit në Kaukaz, megjithatë pavarësisht tekave të Rusisë sipas analistëve nafta dhe gazi nuk kanë rrugë tjetër transporti veç drejt Evropës./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle