Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi ka treguar ditën më të vështirë politike në jetën e tij. Bëhet fjalë për zgjedhjet e vitit 2017, kur Shehi dhe aleatët e tjerë të Partisë Demokratike u futën në listat e selisë blu pas marrëveshjes së 17 Majit.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shehi u shpreh se ishte i 11-ti në listë dhe po priste si do të përfundonin votimet në Tiranë.
Ai thotë se preferon sistemin mazhoritar për zgjedhjet, për t’u përballur direkt me kundërshtarin politik.
Blendi Fevziu: Shehi, do kishe më kurajo sot pas 12 vjetësh që je në listë të shkoje të përplaseshe në mazhoritar kokë për kokë?
Dashamir Shehi: Unë përplasem jo kokë për kokë, po vesh për vesh. Unë e dua atë, me këtë jam bërë dikushi, me mazhoritarin. Se të pres tek lista për një si puna ime, është pak e trishtueshme. Herën e fundit kam pritur i 11-ti në Tiranë, a po mbyllen, tek lagjia 5 zgjedhjet apo jo. Kam kaluar ditën më të vështirë politike të jetës time. Po prisja se ç’po zgjedh lagjia e komunistëve në Tiranë, midis meje dhe një kandidati tjetër. Jam ndjerë shumë keq. Unë, dikush tjetër këtu, jemi njerëz që jemi investuar 30 vjet në politikë. Të rinjtë nuk e kanë të njëjtin shans. Jemi të privilegjuar në një skemë tjetër. Të tjerët mund të mos e kenë këtë avantazh. E megjithatë, unë do thoja, në qoftë se duhet ndryshuar sistemi sigurisht që do t’i nënshtrohet një gjykimi pak më të ftohtë dhe më të qetë. /tvklan.al