“Ngjarja e shkollës Fan Noli mund të evitohej nëse oficerët e sigurisë do të kryenin rolin e tyre për të evidentuar nxënësit të cilët mund të përfshiheshin në konfrontim fizik si dhe kontrollin e tyre për mjetet që dispononin.”

Për të parandaluar fenomenin e dhunës, në 2018, Ministria e Arsimit firmosi një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme për praninë e oficerëve të sigurisë në shkollë me qëllim sigurinë e nxënësve.

Në të gjithë sistemin parauniversitar, janë 240 oficerë sigurie të cilët kanë për detyrë jo vetëm të garantojnë sigurinë e nxënësve, por edhe të ndërhyjnë në rastet kur vetë nxënësit kanë sjellje që shkelin rregullat.

Madje në raste të tjera, duhet të informojnë edhe oficerët e komisariateve për raste të cilat mund të jenë të dyshuara për ngjarje që bien ndesh me ligjin dhe janë pranë shkollës ku operojnë. Vetëm vitin që shkoi janë parandaluar 733 ngjarje mes nxënësve në shkolla.

“Konfrontimi fizik dhe dhuna mes adoleshentëve është një fenomen shqetësues në Shqipëri. Raporti i fundit i OBSH e rendit Shqipërinë në vendet e para përsa i përket përqindjes së lartë të adoleshentëve të përfshirë në raste dhune, kryesisht tek grupmosha 11-15 vjeç. Më shumë të përfshirë janë djemtë në këtë fenomen.”

Raporti thekson se 1 në 4 adoleshentë janë të përfshirë në konfrontim fizik që nis nga rrjetet sociale dhe përfundon pranë shkollave.

Tv Klan