Nisur nga ngjarje tragjike e vrasjes së 14 vjeçarit ne shkollën “Fan Noli” ku promovimi dhe nxitja e dhunës dhe gjuhës se urrejtjes u bë përmes platformave online Tik Tok dhe Snapchat, qeveria ka vendosur të ndërmerret një konsultim publik me komunitetet e prindërve në çdo shkollë për të marrë mendimin e tyre nëse duhet të shkohet drejt mbylljes së këtyre rrjeteve sociale në Republikën e Shqipërisë.
“Pres me padurim rezultatet e këshillimit të gjerë me komunitetet e prindërve, lidhur me qasjen që duhet të zgjidhim së bashku ndaj TikTok-ut, SnapChat-it apo të dyve bashkë sepse nga të gjitha hulumtimet tona, janë dy burimet më pjellore të çoroditjes, të nxitjes së dhunës dhe të akteve të bullizmit deri dhe pastaj në tragjedi si kjo e fundit nga e cila ne duhet me patjetër të gjithë së bashku të dalim si shoqëri dhe si shtet me një përgjigje sa më efektive.”
Vetë kryeministri në komunikimin e kësaj iniciative tha se kanë vendosur ta zgjidhin këtë dilemë në këtë mënyrë për të pasur një konsensus të gjerë.
“Tani, dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e deritanishme në Europë apo përtej Europës, mësojmë se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët, ndërkohë që stimujt e dhunës dhe rastet e bullizmit në botën online të fëmijëve dhe të adoleshentëve, vetëm rriten apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të TikTok-ut e pse jo, të Snapchat-it në territorin e Republikës së Shqipërisë.”
Nje tjetër masë në drejtim të krijimit të një mjedisi më të sigurtë në shkolla është dhe ai vendosjes se kamerave jo vetëm në perimetrin e shkollave, por dhe në çdo klasë. Projekti është gati, ai do të financohet nga qeveria e Emirateve të Bashkuara.
“Synojmë ta përmbyllim plotësisht, hap pas hapi në harkun e 20 muajve, ndërkohë që hap pas hapi shkollat duhet të fillojnë të pajisen me këtë sistem. Prej disa vitesh kemi ndaluar hyrjen e celularëve nëpër shkolla, por është koha për të rishikuar po ashtu sanksionet lidhur me shkeljet e këtij rregulli të përgjithshëm, ndërkohë që vendosja e punonjësve të sigurisë dhe psikologëve në shkollat tona kanë sjellë një sërë rezultate pozitive të cilat padyshim do të thellohen shumë ndjeshëm me futjen e syve të teknologjisë në mbikëqyrjen e perimetrit të çdo shkollë dhe madje të çdo klase ku praktikisht prindërit do mund të shohin gjithçka ndodh me fëmijët e tyre dhe me procesin e mësimdhënies sa herë do duan të verifikojnë ecurinë apo problematikat e lidhura me fëmijët e tyre.”
Kryeministri komentoi dhe debatin mediatik e politik që po zhvillohet prej 3 ditësh për këtë ngjarje e që sipas tij nuk reflekton ndjeshmërinë publike, por interesat politike dhe të biznesit.
“Tragjedia e nxënësit 14 vjeçar, e familjes së tij dhe e komunitetit të shkollës Fan Noli është shumë e madhe për tu futur në perimetrin shumë të ngushtë të sherrit të një pseudo elite politike dhe mediatike e cila përditë, përnatë devijon çdo interes kombëtar e publik, çdo problem apo ngjarje dhe deri çdo fatkeqësi e tragjedi në kanalin e llumit të interesave të veta për pushtet e për biznes me ndjenjat dhe me hallet e popullit.“
Sipas Ramës kjo tragjedi duhet të shërbejë si një moment për t’u bashkuar përballë sfidës që kanë të gjitha hallkat e shoqërisë që t’i thonë “Stop” gjuhës së urrejtjes dhe dhunës, ku veçon parlamentin si promovues të këtyre dy antivlerave.
“Kjo tragjedi duhet të na bashkojë si prindër dhe si qytetarë për të kuptuar se gjithsecili prej nesh duhet të marrë përsipër më shumë në pjesën e vetë të frontit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili nis brenda mureve të shtëpisë, vazhdon brenda mureve të shkollës dhe shtrihet kudo ku zhvillohet jeta e fëmijëve tan, përfshirë dhe ekranet e televizorëve ku shumica dërrmuese e atyre që derdhin lot krokodili për Shqipërinë dhe për popullin janë në fakt lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës dhe herë pas here dhe nxitës të hapur të dhunës duke përfshirë dhe vetë sallën e Parlamentit të Shqipërisë që është një shkollë e hapur dhune dhe nxitjeje e gjuhës së dhunës.”
Kryeministri thotë se autoritetit i prindërve, i mësuesve dhe vetë institucioneve është i sfiduar nga bota paralele e rrjeteve sociale ku nuk ka asnjë filtër, asnjë mbrojtje, ku jo vetëm edukimi, por deri dhe shëndeti mendor i fëmijëve vihen seriozisht në pikëpyetje.
Tv Klan