Detaje të tjera janë zbuluar nga vrasja e 43-vjeçares shqiptare Laureta Zyberi nga bashkëshorti i saj mbrëmjen e 31 Janarit në Genoa të Italisë. Eduart Zyberi, 53 vjeç, e goditi 10 herë me thikë gruan.

Plagët, viktima i mori në pjesën para trupit, por edhe në kurriz. Pas këtij akti, Zyberi tentoi të vetëvritet duke qëlluar edhe veten me thikë. Mirëpo ai u shpëtua nga autoritetet dhe u dërgua në spital ku iu nënshtrua një operacioni dhe tashmë është jashtë rrezikut për jetën.

Mediat shkruajnë se gjatë pyetjeve të policëve, ai ka folur përçart dhe ka pranuar vrasjen e bashkëshortes. Mirëpo javën e ardhshme pasi të stabilizohet plotësisht gjendja e tij, pritet që të merret në pyetje për të hedhur dritë mbi vrasjen.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një apartament ku viktima punonte si pastruese. Sipas informacioneve referuar mediave italiane, gruaja ishte gjatë orarit të punës kur i kishte hapur derën bashkëshortit. Trupat e dy shqiptarëve u gjetën pasi në shtëpi shkoi pronari i saj.

Deri më tani pista e hetimit ku po përqendrohen më shumë autoritetet është ajo e xhelozisë. Për këtë arsye janë marrë në pyetje edhe fëmijët e çiftit. Ata kanë pohuar se mes Lauretës dhe Eduartit nuk ka pasur asnjë konflikt apo përpjekje për t’u divorcuar.

Eduart Zyberi punonte si murator. Sëbashku me bashkëshorten kishin shkuar në Itali në vitin 1996 dhe ishin të martuar prej 25 vjetësh./tvklan.al