Nertila e pret ditëlindjen e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” me një përzierje ndjenjash gëzimi e trishtimi bashkë. Rrëfimi i saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan nis me fejesën në moshë fare të re, kur ishte vetëm 17 vjeç. Kjo lidhje rezultoi në një martesë të fortë që u ka bërë ballë sfidave e problemeve.
Në vitin 2009, në apartamentin e vogël të një pallati të vjetër ku jetonin, erdhi në jetë gëzimi i tyre i parë, Gledisi që sot është 15 vjeç. Nertila tregon se mezi e priste ardhjen e tij e kishte nisur të numëronte ditët, por e ardhmja që i priste s’ishte aspak e lehtë.
Nertila: Shkoj për një vizitë te mjeku dhe më tha “nuk është çdo gjë në rregull. Ti nuk ke ujëra në bark tha dhe peshku nuk jeton pa ujë, duhet të të operojmë”. Stres i madh. Ashtu siç kam qenë, me rrobat e trupit, jam futur në sallën e operimit. Gledisi ka lindur i nxirë, nuk ka qarë. E kanë futur në oksigjen. Unë nuk kam kuptuar asgjë, atë kohë e bënin me narkozë. Në mëngjes që jam përmendur e kërkoja, më sillni çunin, dua të shoh çunin, por nuk ishte e mundur sepse po t’i hiqnin oksigjenin, ai nuk mund të jetonte. Edhe ditën e dytë e kalova po shtrirë, nuk mund ta shikoj.
Ditën e tretë, i jap forca vetes, mbahem nëpër hekura dhe hipi lart në kat të tretë. Shkoj te dhoma dhe çfarë të shihja? Një engjëll të vogël, rrethuar nga aparaturat. Nuk kisha mundësi që ta merrja në dorë, ta përkëdhelja dhe i këndoja këngë. Ata mjekët çuditeshin, më kapnin nga krahët dhe më thoshin “mos u mërzit, do të bëhet mirë çuni, jepi forcë dhe do të shikosh që do të bëhet mirë” pavarësisht e gjendja ishte e rëndë. Kjo gjë ndodhi rreth një muaj që unë të njëjtën gjë bëja, shkoja në dhomë, shkoja te inkubatori, këndoja, të njëjtën gjë çdo ditë. Pas një muaji, Gledisi filloi të bëhet mirë. Filloi të pijë, filloi të heqë nga pak oksigjenin se ato ia jepnin me shiringë, nuk mund të pinte me biberon, filloi të bëhet mirë dhe çdo gjë filloi për mbarë. Dal nga spitali, e lumtur te Zoti.
Ditë e natë i rrija sipër kokës, fëmija i parë, vetë isha e re. Gjithë natën Gledisi qante pafund. Nuk e kuptoja çfarë kishte. Duke e ndërruar një natë, e shikoj që poshtë barkut kishte një si kokërr shumë të madhe. Interesohem te mjekët, ata thanë që “djali vuan nga dhjamthi, duhet ta operosh në Tiranë”. Bëhemi gati, djali ishte 3-muajsh, e operojmë. Pa u bërë muaji, Gledisit i del nga ana tjetër. E operojmë prapë, përsëri me narkozë. Vijmë në shtëpi. Gledisi kishte një nishan në kokë, një nishan si të kuq, të vogël që nuk ta mbushte mendjen, mirëpo kur e shikoja, ai meraku që e shihja sipër kokë, atij më dukej sikur i rritej. Shkoj te mjeku i lëkurës dhe i them ma shiko pak djalin, çfarë ka. Tha “duhet ta operosh urgjentisht”, përsëri djali ishte 5-muajsh, e operuan prapë.
Vij në shtëpi, thashë shyqyr i hoqi të këqijat Gledisi, tani çdo gjë dotë jetë normale. Muajt kalonin, mirëpo Gledisi nuk ishte si fëmijët e tjerë, nuk rrinte ulur, nuk kapte lodra, me një fjalë më bënte përshtypje kur e krahasoja me moshatarët. E çoja te mjekët thoshin “s’ka gjë se çuni ka vuajtur, ka marrë narkozë shumë, çfarë kërkon ti?” Mirëpo prapë unë thoja jo, s’më pëlqen çuni. Vij në Tiranë, në Kombinat. Djali ishte 1 vjeç, i bënë Disit kontrollin dhe thonë “djali ka nevojë për fizioterapi të vazhdueshme që t’i forcohen muskujt”. Rrija atje 2 javë, 2 javë atje, 6 javë në shtëpi. Kjo gjë zgjati deri në moshën 6 vjeç./tvklan.al