Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka shprehur keqardhje pas seancës së sotme parlamentare. Në një reagim në rrjetet sociale ajo u ndal tek karriget e djegura nga deputetët e opozitës. Sipas saj, djegia e tyre dëshmon nivelin e mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik.
““Karriget tona janë të qytetarëve” tha një deputet i opozitës! Kjo është shumë e vërtetë dhe prandaj ato karrige janë për t’u respektuar duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve. Djegia e tyre dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik”, shkruan Spiropali.
Kryeparlamentarja thotë se aktet e dhunës brenda sallës e kanë kthyer Kuvendin në skenë krimi për t’u marrë në këqyrje nga organet ligjzbatuese.
“Fatkeqësisht zjarrin mbi parlamentet e kanë vënë vetëm përbuzësit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë në historinë e saj. Edhe më fatkeqësisht zjarrvënia e sotme, dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës, e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t’u marrë në këqyrje nga organet ligjzbatuese”, shkruan Spiropali.
Kujtojmë se seanca e sotme parlamentare nuk zgjati shumë për shkak të aksionit të opozitës. Demokratët dogjën karriget dhe nuk lejuan zhvillimin normal të seancës në shenjë proteste kundër burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji./tvklan.al