Dronët “Bayraktar” kanë mbërritur në Shqipëri dhe prej dy ditësh ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës për operimin dhe kontrollin e tyre. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ka shpërndarë dhe pamjet e dronëve “Bayraktar”.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ministri Peleshi shkruan se këta dronë jo vetëm që rrisin aftësinë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërbejnë dhe si dëshmi e angazhimit të vendit për garantimin e sigurisë kombëtare dhe përmbushjen e standardeve më të larta të mbrojtjes.

Këtë arritje, Peleshi e quan simbol të dedikimit të ministrisë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

“Dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri! Prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre. Ky zhvillim jo vetëm që rrit aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërben edhe si dëshmi e angazhimit të vendit për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes. Kjo arritje, simbol i dedikimit tonë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat tona të Armatosura”, shkruan ministri Peleshi.


/tvklan.al