Durrësi është një qytet ku sezoni veror nuk përfundon me muajt e verës, por vazhdon edhe më gjatë.
Këtë fundjavë Shtatori, bregdeti i Durrësit ka pritur shumë vizitorë, si vendas ashtu edhe të huaj, që kanë zgjedhur të kalojnë disa ditë pushimi.
“Do të qëndrojmë 6 ditë këtu, ditën e mërkurë do të ikim. Çmimet janë të arsyeshme. Në Qershor e kemi paguar 35 euro natën, kurse tani 25 euro.”
“Jam nga Polonia. Është bukur këtu do të rri disa ditë. Çmimet janë te lira.”
Operatorët turistikë në Durrës, thonë se prenotimet në hotelet përgjatë bregdetit të Adriatikut janë të kënaqshme edhe për javët e ardhshme.
Blerim Norja, operator turistik: Muaji Shtator ka filluar shumë mirë, po themi që kanë qenë një e papritur. Në muajin Shtator ka patur një kërkesë shumë të madhe nga turistët që vijnë nga Kosova. Kërkesa ka qenë shumë e lartë dhe parashikohet që për dy javët e para të Shtatorit do jenë shumë të mira.
Pushuesit nga Kosova, Çekia dhe Polonia janë ata që kryesisht kanë preferuar vjeshtën për pushime më të gjata.
Blerim Norja, operator turistik: Prej vitesh turistët polakë frekuentojnë Shqipërinë dhe këto zënë edhe numrin më të lartë në qytetin e Durrësit, përveç turistëve polakë janë edhe turistët çekë, nga vendet lindore të cilët kanë preferuar Shqipërisë si vendin e tyre të pushimit. Muaji Tetor është muaji i preferuar për turistët që vijnë nga vendet nordike, Norvegjia, Suedia dhe Gjermania.
Sipas statistikave paraprake, gjatë 8 muajve të parë të vitit, Durrësi është vizituar nga të paktën 1.2 milion turistë.
Për aq kohë sa temperaturat mbeten të favorshme, plazhi do të vijojë të frekuentohet edhe përgjatë javëve në vijim.
Klan News