Zëvendëspresidentja Kamala Harris tejkaloi numrin e delegatëve të nevojshëm që i duhen për të siguruar nominimin presidencial nga demokratët në konventë. Brenda 24 orësh nga tërheqja e presidentit Joe Biden nga gara, Harris kishte marrë mbështetjen e 2,538 delegatëve, një shifër përtej shumicës së thjeshtë të nevojshme për të siguruar nominimin në votimin e pare që është 1976 delegatë.
Edhe pse kjo është një shifër jo zyrtare, bazuar në sondazhin e Associated Press, kjo tregon një ecuri mjaft të mirë deri më 7 Gusht, kur pritet të dalë edhe emri i kandidatit zyrtar. Në 24 orë Harris arriti të mbledhë 81 milionë dollarë donacione për fushatën e saj.
Në daljen e parë publike Harris u zotua para ekipit të fushatës presidenciale se do të shkonte pas kandidatit republikan Donald Trump si prokurorja e sallës së gjyqit që ishte dikur.
“Kam marrë përsipër autorë të të gjitha llojeve. Grabitqarë që abuzuan me gratë, mashtrues që grabisnin konsumatorët, mashtrues që thyen rregullat për përfitimin e tyre,” u tha Harris mbështetësve të saj dhe bashkëpunëtorëve të fushatës.
“Pra, më dëgjoni kur them se e njoh llojin e Donald Trump. Në këtë fushatë, unë me krenari, do ta vë rekordin tim kundër tij,” tha Harris, e cila ka qenë prokurore e përgjithshme e Kalifornisë dhe senatore përpara se të shërbente si zëvendëspresidente me Biden .
“Objektivi im është të fitoj emërimin dhe të fitoj në zgjedhje”, tha ajo. Ajo premtoi “të bashkojë partinë Demokrate, të bashkojë vendin dhe të fitojë zgjedhjet.”
Stafi elektoral i Donald Trump iu përgjigj komenteve të Harris, duke thënë se “Kamala Harris është po aq e paaftë sa Joe Biden.
Presidenti Biden telefonoi nga shtëpia e tij në Rehoboth të Delauerës, ku po merr veten nga COVID-19, për të shprehur mbështetjen ndaj zonjës Harris.
Ai dukej i ngjirur, por vlerësues për zëvendëspresidenten e tij. Pritet që ai së shpejti t’i drejtohet popullit me një fjalim më sqarues për vendimin e tij për tu tërhequr nga gara.
Klan News