Shqipëria turistike zë vend edhe në median greke Kathimerini. Sipas saj në vitet e fundit brigjet shqiptare po shfaqen gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale të udhëtarëve.
Madje rritja turistike e Shqipërisë, vihet re edhe nga shumëfishimi i fluturimeve nga vendet europiane drejt Shqipërisë.
Saranda, Ksamili, Himara dhe Dhërmiu janë pikat kryesore ku përqendrohet fluksi më i madh i vizitorëve në verë.
Një nga mediat më prestigjioze greke në shkrimin e saj vlerëson edhe plazhet me rërë të imët dhe të bardhë me ujërat e pastra kristal, duke i krahasuar me plazhet e Korfuzit.
Sarandën e quan kryeqytet të rivierës në Jug, ku gjenden plazhet më të bukura, si plazhi i Pasqyrave, Krorëza dhe Lukova.
Duke u nisur drejt veriut, ia vlen të shkoni pak më larg nga vija bregdetare për të vizituar Parkun Kombëtar të Llogarasë, thuhet në artikull.
Në të gjithë Rivierën Shqiptare ka qindra mundësi akomodimi, çmimet janë mjaft të përballueshme, por sigurisht në korrik dhe gusht janë më të shtrenjta se në muajt e tjerë.
Gjithashtu artikulli flet dhe për Butrintin, pjesë e UNESCO-s, si një destinacion që duhet vizituar patjetër.
Tv Klan