Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mosmiratimi në këshillin bashkiak të projektvendimit, për taksat dhe tarifat lokale të kryeqytetit për shkak të votës kundër të opozitës, ka sjellë reagimin e ashpër të kreut të bashkisë së Tiranës Edi Rama.

Sipas zotit Rama, me këtë qëndrim opozita ka bllokuar të gjithë aktivitetin tregtar të kryeqytetit, sepse nuk ka pranuar të miratojë taksat vendore, që përbëjnë pjesën kryesore në buxhetin e bashkisë. Zoti Rama e ka cilësuar absurd ligjin, për të miratuar këto taksa me 3/5 e këshillit bashkiak.

Kryebashkiaku Edi Rama:- “Kur opozita tregon se është e gatshme, jo vetëm ta bllokojë por edhe ta djegë nga e para Tiranën, thjeshtë dhe vetëm sepse kërkon kokën e kryetarit të bashkisë, ky ligj humbet këtë argument dhe kthehet në një instrument, për të bërë pikërisht këtë që ndodhi dje. Kjo do të thotë, që subjektet tregtare që nuk mund të paguajnë detyrimet e tyre në arkën e bashkisë, do të duhet të licencohen kush e di se kur, pasi me strukturën aktuale, të funksionimit, nuk mund dot të marrin licencën dhe që do të thotë që i gjithë sistemi ekonomik i qytetit, futet në kolaps”.

Por anëtari demokrat i këshillit bashkiak Ilir Rusmali, ka sqaruar pozicionin e opozitës. Sipas tij, PD nuk mund të miratojë taksa, që rrezikojë falimentimin e bizneseve.

Ilir Rusmali:- “Ka qenë një qëndrim që ka synuar të mbrojë me doemos interesat e qytetarëve, në mënyrë të veçantë interesat e biznesit tiranas, i cili me projektvendimin në fjalë kërcënohej pasivisht nga vështirësia ekonomike, në mos nga falimentimi, sepse tarifat e imponuara në projektvendim, me insistimin e kryetarit të bashkisë në mënyrë të veçantë, ishin përpunuar në masë të tillë, që të formonin taksa të fshehta”.

Zoti Rusmali thotë, se është në pritje për të biseduar me këshilltarët socialistë, në mënyrë që të gjej një zgjidhje të përbashkët, për përcaktimin e taksave jo shumë të rënda për biznesin e Tiranës./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço