Lajme Arkiva 2003

Lista e zgjedhësve për vendoret e Tetorit do të figuroj me 131.000 votues më pak se në zgjedhjet e fundit. Këta emra u evidentuan si të pavlefshëm nga komisioni i regjistrit pasi nuk korrespondonin në asnjë zyrë të gjendjes civile. Eliminimi i këtyre votuesve nga lista, cilësohet nga Ferdinand Poni përfaqësues i Partisë Demokratike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si një dukuri e mirë pasi janë të qëllimshme.

Ferdinand Poni: Këta emra kanë ekzistuar në listat e mëparshme të zgjedhësve dhe nuk duhet të ekzistonin në këtë listë në rast se kjo do të pretendonte sadopak që të ishte një listë e saktë. Në rast se do të donit një informacion për natyrën e këtyre rekordeve që janë hequr, unë mendoj se teorikisht ka dy mundësi. Që të jenë së pari në rekorde të dëmtuara ose të shkruara gabim, nisur nga zyrat e gjendjes civile dhe së dyti të jenë rekorde fantazmë ose rekorde të shtuara apriori në mënyrë krejt të pamotivuar në listat e zgjedhësve të mëparshëm. Normalisht këta janë emra të shtuar në mënyrë të pamotivuar në listat e mëparshme të zgjedhësve dhe është bërë shumë mirë që janë hequr.

Poni bëri të ditur edhe vërejtjet e listës së votuesve për zgjedhjet e 12 Tetorit.

Ferdinand Poni: Kemi një kërkesë pa diskutim që lidhet me afatet. Vetë vonesa në miratimin e kodit zgjedhor por edhe në përgjithësi në përgatitjen e procesit ka çuar në ngushtimin e afatit për rishikimin e listave paraprake.

Për të shmangur mangësitë e listës Poni kërkon vullnetin e vetë votuesve të tregojnë gatishmërinë e tyre për të verifikuar emrin e saktë në zonën ku ata do të hedhin votën./tvklan.al