Kobe Bryant 41 vjeç dhe vajza e tij, Gianna 13 vjeç ishin mes 9 personave që humbën jetën pas rënies së helikopterit muajin e kaluar.
Homazhet publike për humbjen tyre u mbajtën në “Staples Center”, në Los Angeles dhe aty ishin të pranishëm mijëra tifozë, persona të famshëm dhe yje të basketbollit.
Bashkëshortja e basketbollistit, Vanessa, preku zemrat e të gjithë me fjalimin që mbajti në hapjen e ceremonisë, ku përmes një mesazhi të ndjerë i drejtohej bashkëshortit dhe vajzës.
“Ai ishte burri më i mahnitshëm. Kobe më donte më shumë nga ç’mund të shprehem apo ta them me fjalë. Ai nuk do të jetë në gjendje të shoqërojë vajzat tona opo të kërcejë me to në dyshemenë e vallëzimit. Unë dua që vajzat e mia të njohin dhe të kujtojnë personin e mahnitshëm, burrin dhe babanë që ai ishte. Kobe donte t’u mësonte brezave të ardhshëm të jenë më të mirë dhe të mos bëjnë gabimet që ai bëri”.
Vanessa gjithashtu përmendi vajzën e saj, duke e quajtur me nofkën ‘Gigi’ dhe u shpreh se ajo ishte një shpirt jashtëzakonisht i ëmbël, e cila e donte vallëzimin dhe ishte një basketbolliste e talentuar. Sipas saj, Gianna do të kishte qenë një nënë e mahnitshme.
Më tej mes lotësh, Vanessa u shpreh: Zoti vendosi që ne të mos jemi në këtë botë së bashku. Zemër, kujdesu për Gigi-n tonë dhe unë do të kujdesem për Nani-n, Bibi-n dhe Coco-n. Ne vazhdojmë të jemi skuadra më e mirë. Ju duam dhe na mungoni ti dhe Gigi. U prehshi të dy në paqe dhe kënaquni në parajsë, derisa të takohemi sërish një ditë. Ju duam të dyve dhe do të na mungoni përgjithmonë./tvklan.al