Gjithçka e hapur në garën për titullin kampion në Premier League angleze. Kur kanë mbetur në lojë edhe 7 takime deri në fund, tre skuadra janë në garë për të ngritur lart trofeun. Arsenal shihet më e favorizuar në këtë pikë, pasi ka avantazhin e golavarazhit kundrejt Liverpool.

Londinezët dhe “The Reds” ndajnë kreun me 71 pikë. Për Arsenal, java e ardhshme pritet të hedh dritë rreth këtij objektivi, pasi sfidon Aston Vijën me synim për tu distancuar me Liverpool.

Skuadra e Klopp ka një takim të lehtë në letër, teksa në “Anfield Road” zbret Cristal Palas. Vetëm një pikë pas tyre gjendet Manchester City. Kampionët në fuqi të Anglisë tentojnë të përfitojnë nga hapat fals të rivalëve, teksa në fundjavë sfidojnë Luton, ekip që garon për të qëndruar në elitë në fund të sezonit.

Llogari të hapura edhe për vendin e fundit që të dërgon në Champions League. Tottenham dhe Aston Vija kanë grumbulluar deri më tani 60 pikë, me londinezët të cilët kanë një ndeshje më pak.

Klan News