Piktori mjaft i njohur shqiptar, Gazmend Leka ka realizuar një intervistë për programin “Historia ime”, në Tv Klan. Ai u shpreh se për shkak të izolimit dhe pandemisë, jeta e tij ndryshoi, por kjo nuk e pengoi atë që të krijonte.

Më tej, Leka shprehet se karantina në thelb nuk e ka goditur shumë pasi gjithë jeta e tij ka qenë si një lloj karantine. 40 vite ai i ka kaluar në studion e tij, në një izolim pothuajse total.

Gazmend Leka: Karantina nuk është se mua në thelb më ka goditur shumë, se unë tërë jetën time karantinë e kam bërë. Domethënë duke llogaritur që unë tani jam 66 vjeç dhe po të heq 40 vjet të jetës sime, unë dal sapo kam dalë nga shkolla. Kështu që këto 40 vjet që unë kam kaluar në studion time, ka qenë një karantinë, ka qenë një izolim gati total, le të themi. Është një situatë e vështirë për të gjitha gjërat, qoftë për shkollën, qoftë për takimet me miqtë, qoftë për ato gjërat që janë shumë të domosdoshme për jetën e përditshme. Por thashë, në thelb mua nuk më ka prekur.

Gazetarja: Veç merakut për shëndetin e nënës suaj, që ju e përmendët me të drejtë, që ju frenonte për të dalë nga shtëpia përgjatë këtyre javëve, fëmijët tuaj ndodhen prej vitesh në Itali.

Gazmend Leka: Të mbyllur janë dhe ata. Edhe ata e kanë patur karantinën po kaq të egër. Ata e kanë patur dy muaj, madje ata kanë qenë më të izoluar, ne u izoluam disi më vonë le të themi. E rëndë është, merreshim vesh me ndonjë mesazh, se dhe nuk kam dashur t’i shqetësoj. Por sigurisht në një vend të huaj, duke qenë pothuajse vetëm, pa rrethin tënd domethënë familjar, të ngushtë, se ata miq e shok kanë sa të duash. Por ishte shumë e rëndë, them se kaloi, madje dhe ata po hapen, edhe parulla e sotme ishte: Të dilni e të takoni të dashurit tuaj./tvklan.al