Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Një burrë është gjetur i vrarë në një kanal dhe policia ka tashmë disa prova, që argumentojnë se është fjala për vrasësin e Fatmir Ramës, njohur ndryshe si Miri i Xhikes, pronar i Kartodromit.
Në atentatin e kryer në datën 29 Mars, nga breshëria e një automatiku mbeti menjëherë pa jetë Fatmir Rama dhe më pas në spital edhe Julian Durishti, e Kristaq Cami, të cilët nuk mundën t’ju shpëtonin plumbave të marrë. Por atentatori kryesor, megjithëse arriti të godasë katër nga personat që ndodheshin në tryezë është qëlluar në kundërpërgjigje me pistoletë, nga njëri nga miqtë e Mirit të Xhikes.
Ylli Kelmendi, dëshmitari dhe protagonist në ngjarje, deklaroi se me një pistoletë, arriti të godasë njërin nga atentatorët. Kelmendi bëri publike këtë deklaratë, disa ditë pas ngjarjes në një shkrim të revistës “Klan”. Fakti që vrasësi me kallash ishte plagosur, vërtetohet menjëherë në vendngjarje, pasi vetëm pak metra larg lokalit, u gjendën gjurmë gjaku dhe më tutje një maskë e gjakosur me një vrimë plumbi, së bashku me armën e krimit.
Kjo bëri që policia të kontrollonte të gjitha ambientet spitalore, ku mund të kurohej një armë zjarri, por nga kontrollet nuk rezultonte ndonjë pacient i dyshimtë. Vetëm pesë ditë pas atentatit, policia e Tiranës sinjalizohet për gjetjen e një burri pa jetë në një nga kanalet në afërsi të liqenit. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një të mbytur, por sipas burimeve të shërbimit qëndror të kriminalistikës, kqyrja në morg vërtetoi, se kufoma ka një plagë zjarri në kokë, në afërsi të veshit të majtë.
Data e gjetjes së kufomës, afërsia e kanalit ku u gjet me vendin e krimit dhe mbi të gjitha plaga në kokë, që përkon me shenjën e plumbit në maskë, janë provat kryesore, sipas të cilave, kufoma e morgut mund të jetë vrasësi i kartodromit. Prova e pakontestueshme pritet të vijë pas disa ditësh nga një laborator kriminalistik në Itali. Formula e ADN-së mund të vërtetojë se kufoma që ndodhet në morg është personi që qëlloi mbi Mirin e Xhikes dhe dy kufomat e tjera të Kartodromit.
Por me gjithë informacionin e dhënë pranë komisariateve për një kufomë pa identitet, deri tani askush nuk i është ofruar morgut, për të identifikuar viktimën. Mjekët tregojnë se bëhet fjalë për një trup me shenja dekompozimi nga qëndrimi disa ditë në kanalin ku u gjet. Kufoma nuk kishte me vete asnjë dokument, orë, unazë, apo objekt tjetër të identifikueshëm. Punonjësit e morgut kanë shënuar në kartelë se mund të jetë rreth 40 vjeç./tvklan.al