“Nuk jam kurrë i qetë”
“Nuk jam kurrë i qetë”. Kështu nis artikulli i intervistës së Sylvinho-s për “The Guardian”.
“Lojtarët e dinë, Federata e di, presidenti e di. Festa e Krishtlindjeve, fundviti, puna rinis normalisht në janar… por gjithë kohën ajo çfarë mendoj është si mund të ecim përpara. Si mund të luajmë kundër Italisë? Si mund të luajmë kundër Kroacisë? Çfarë do të bëjmë kundër spanjollëve?”
Një shqetësim i kuptueshëm pasi Shqipëria e udhëhequr nga Sylvinho u kualifikua për në Europian dhe shorti e vendosi në grupin më sfidues. Nëse ekipi përparon, do të jetë shokuese.
“Duhet të gjesh mënyrën për të reduktuar distancën mes tyre dhe neve”
“Duhet të gjesh mënyrën për të reduktuar distancën mes tyre dhe neve. Por si? Duhet të punosh”, vijon Sylvinho.
Kjo nuk ka qenë kurrë e vështirë për të. Trajneri e ka realizuar plotësisht këtë detyrë qëkur mori drejtimin e ekipit pas takimit në Milano me presidentin e FSHF, Armand Dukën.
“Duhet të tregohem i zgjuar, s’mund të gaboj”
“Mendova ‘pse jo?’ dhe jam këtu”. Sylvinho nuk zgjati shumë në dy postet e tij drejtuese të mëparshme dhe një hap i gabuar mund të ishte fatal për ambiciet e së ardhmes.
“I thashë asistentit tim, Doriva-s, ‘duhet të tregohem i zgjuar, s’mund të gaboj sepse nëse bëj një zgjedhje të gabuar do të jem në telashe”. Rreziku ishte i përllogaritur dhe nuk kishte kohë për masa të përgjysmuara. Sylvinho nuk shihte përparim në të qenët trajneri ndërkombëtar që vjen për ndeshje dhe stërvitje, ai e dinte se me kaq shumë gjëra, duhet të jetonte në Tiranë përgjatë gjithë vitit.
“Duhet t’i njohësh njerëzit. S’mund të shfaqem 10 ditë përpara një ndeshjeje. Atmosfera që sheh këtu, jam absolutisht i sigurt se transmetohet në fushë”.
Rezultatet e kanë treguar. 3 muajt e shkuar i ka kaluar duke takuar sa më shumë lojtarë të mundte nga një listë me 50 të tillë, ndërsa pjesën tjetër të kohës e kalonte në ‘laborator’: një dhomë në fund të korridorit të pajisur me grafikë, tabela, ekrane dhe raporte që gjurmojnë formën e çdo anëtari të mundshëm të ekipit.
Pas humbjes 1-0 në Varshavë, Sylvinho kujton fjalët e futbollistëve: “Trajner, kjo është rruga”. Shqipëria nuk humbi asnjë ndeshje tjetër. Sylvinho i vendosi lojtarët në një formacion 4-3-3 që ndiente se luante me pikat e tyre të forta.
“U pëlqen taktika, por duhet t’i lësh të krijojnë”
“Teknikisht ata janë të shkëlqyer, kanë diçka ndryshe dhe mund ta tregojnë në fushë. Nuk janë të bërë që thjesht të shkojnë atje dhe të thonë ‘4-4-2, s’kemi topin, s’kemi pse të bëjmë diçka të veçantë’. Atyre u pëlqen taktika, e kuptojnë punën e vështirë, por duan të kenë hapësirë që të krijojnë dhe duhet t’i lësh ta bëjnë”.
Kërkimet e Sylvinho-s dhanë rezultat për të rekrutuar në ekip emra si Asani që ka mrekulluar me gjuajtjet e tij.
“Ti punon çdo ditë, 10 ose 12 orë, më pas shkon për darkë dhe sheh një ndeshje pastaj. Edhe për mua është sfidë e madhe. Por ti beson te taktikat, në hapësirën e lirë për lojtarët e mirë, nën moshën 21 vjeç dhe më të rriturit. Por më kënaq”.
“Ndoshta unë isha i rëndësishëm si lojtar, por jo më”
Sipas tij, rrugëtimi me Shqipërinë është një arritje më e madhe se gjithçka ka bërë si lojtar. Tirana duket e largët nga Camp Nou por ai ka bërë një përpjekje të vetëdijshme që e shkuara mos t’i peshojë.
“S’mund të jetë ‘unë jam Sylvinho, kam fituar në ’09, kam punuar për Pep Guardiola, tani di gjithçka. Çfarë kam bërë më parë është e rëndësishme për mua si njohuri dhe mund ta përdor, por s’mund të vij dhe t’u flas lojtarëve në një nivel tjetër. Nuk hyn në dhomën e zhveshjes dhe thua ‘Champions League’,”, shprehet trajneri.
Ndërsa kujton një episod kur një prej lojtarëve i dha topin dhe ai e preku me duar, Sylvinho rrëfeu mesazhin që u dha: “’Unë kam luajtur, por tani duhet ta bëni ju sepse unë s’mundem më. Nuk është koha ime, është juaja’. Ndoshta unë isha i rëndësishëm si lojtar, por jo më. Më është dashur të tërhiqem, të punoj dhe edukoj veten”.
Energjisë dhe gjallërisë së tij i rri përbri qetësia dhe arsyetimi i Doriva-s, asistentit dhe mikut të besuar. Ai e bindi Sylvinho-n se asistimi për Tite në vitet 2016-2019 ishte një arsye madhore që mos të trembej për të pranuar të drejtonte ekipin kuqezi.
Guardiola, Arsène Wenger dhe Tite janë trajnerët që kanë ndihmuar në formimin e Sylvinho-s. Ai mban kontakte sporadike me ta sepse beson që “pjesë e të qenit i respektueshëm është të mos u dërgosh shumë mesazhe”. Një ndikim tjetër të madh ka patur Roberto Mancini, dora e të cilit do të jetë e dukshme në ndeshjen Shqipëri-Itali të shtunën.
“Ai është shumë inteligjent. Dhe shumë i guximshëm për të promovuar talentet e reja”, thotë Sylvinho për ish-shefin e tij krah të cilit ka asistuar në 2010.
“Gjithçka mund të ndodhë në 90 minuta”
Sylvinho ka riktheksuar rëndësinë e ndeshjes së parë dhe atyre pasardhëse. Shqipëria do të jetë e përgatitur më së miri. Pritshmëritë janë se ai do ta udhëheqë Shqipërinë në Kupën e Botës 2026 dhe sfida është që të krijojë edhe më shumë kujtime, edhe nëse butoni i fikjes nuk funksionon.
“Janë 3 ndeshje, secila 90 minuta dhe gjithçka mund të ndodhë në atë kohë. Ti mund të ndryshosh jetën në aq kohë, vërtet mundesh. Njerëzit thonë ‘Mister, qetësohu, qetësohu’. Por s’mundem. Është puna ime që të sigurohem se do të përpiqemi fort të bëjmë diçka speciale”, përmbyll Sylvinho./tvklan.al